Ja vëllezërit Cara, të dyshuar për vrasjen e 20 vjeçarit në Kurbin (FOTO LAJM)

Dorjan Cara
Uniformat blu kanë bërë të mundur zbardhjen e vrasjes së 20-vjeçarit Ervis Zyba. Lidhur me këtë çështje, policia ka shpallur në kërkim dy vëllezër, Dorjan Cara dhe Elgert Cara, të dyshuar si personat që morën pjesë në konfliktin me armë në Kurbin.

"Me datë 25.02.2016, ora 02:00, është marrë njoftim se në vendin e quajtur Fushë Milot, në ambjentet e jashtme të një lokali në Laç, kishte ndodhur vrasje me armë zjarri.

Nga Sektori i Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë dhe të Efektivave të Seksionit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin, është ngritur menjëherë grupi hetimor të cilët kanë shkuar në vendngjarje, për zbulimin e kësaj ngjarje të rëndë kriminale.

Pas një pune intensive hetimore, operative dhe proçeduriale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, falë veprimeve të shpejta dhe të mirëorganizuara, u bë e mundur dokumentimi ligjor i kësaj ngjarje me zbardhjen e plotë të kronologjisë së ngjarjes, motiveve dhe identifikimin e autorëve", thuhet ne deklaraten e policise.

Nga veprimet e kryera rezulton se shtetasit Xhevahir Lika dhe shtetasi Elgert Cara, ishin të përfshirë në një konflikt për motive të dobëta, që para rreth nje viti.

Viktima Ervis Zyba ishte shok i shtetasit Xhevahir Lika dhe të dy së bashku kanë shkuar në një lokal, në lagjen Nr.6 Kurbin, në të cilin kishte muzikë live.

Pasi kanë qëndruar rreth katër orë në këtë lokal, të dy shtetasit kanë dalë nga lokali rreth orës 01:30 dhe kanë hipur në automjetin e tyre të markës Mercedez Benz me targa AA898MR.

Në atë moment tek mjeti janë afruar shtetasit Elgert Cara dhe Dorjan Cara, të cilët janë konfliktuar me shtetasin Xhevahir Lika.

Në debat e sipër, duke qenë se dy palët kanë qenë të armatosur, shtetasi Elgert Cara ka qëlluar me armë automatike, ndërsa shtetasi Dorjan Cara ka qëlluar me armë zjarri pistoletë ne drejtim të mjetit ku ishin Xhevahir Lika dhe viktima Ervis Zyba dhe shtetasi Xhevahir Lika është kundërpërgjigjur me armë zjarri pistoletë.

Nga shkëmbimi i zjarrit ka mbetur i vrarë shtetasi Ervis Zyba, 20 vjeç, lindur dhe banues në Gjorme të Bashkisë Kurbin.

Në lidhje me këtë ngjarje, janë arrestuar shtetasit:

Xhevahir Lika, 21 vjeç, banues në Gjorme-Kurbin, për veprën penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake e municionit”.

Drilon Leka, 27 vjeç, banues në Shullaz-Kurbin, për veprën penale “Moskallëzim krimi”. Gjithashtu u shpallen në kërkim shtetasit:

Elgert Cara, 19 vjeç, banues në Zheje-Kurbin, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.

Dorjan Cara, 25 vjeç, banues në Zheje-Kurbin, si i dyshuar për kryerjen e vepres penale te “Vrasjes me paramendim e kryer në bashkepunim” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje te armeve luftarake dhe municionit”.

Sakaq, vazhdojnë veprimet hetimore dhe operative intensive, për kapjen e shtetasve dhe vënien para përgjegjësisë ligjore. /albeu.com/



Shtuar më 26/02/2016, ora 16:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori