Kalush Orchestra: Pas fitores në Eurovizion do të kthehemi për të luftuar në Ukrainë (VIDEO)

Teksa mbrëmjen e djeshme përfaqësuesit e Ukrainës në Eurovision, Kalush Orchestra, arritën të fitonin vendin e parë, ata kanë deklaruar se do të rikthehen në vendin e tyre për të luftuar kundër pushtuesit.

“Është e vështirë të thuhet se çfarë do të ndodhë tani, është hera e parë që fitojmë Eurovizionin. Kemi një leje të përkohshme për të qëndruar në Torino: nesër duhet të kthehemi dhe si çdo ukrainas jemi gati të luftojmë për aq kohë sa të mundemi”, ka thënë orkestra.

“Çdo sukses tani ka shumë kuptim për Ukrainën. Kultura jonë është sulmuar dhe ne jemi gjithashtu këtu për të treguar se ajo është e gjallë dhe ka markën e saj të veçantë”, shtoi grupi.

Pas përfundimit të këngës të gjithë të pranishmit u ngritën në këmbë për të duartrokitur, ndërsa njëri nga pjesëtarët e grupit të Ukrainës iu drejtua të gjithëve me fjalët: “Ju lutem ndihmojeni Ukrainën, ju lutem ndihmojeni Mariupolin dhe Azovstalin.”

Ukraina e fitoi Eurovisionin në vitin 2016 me këngën ‘1944’ nga Jamala, këngë e cila, për ironi, kishte të bënte me krimet e tmerrshme të ushtrisë sovjetike ndaj tatarëve të Ukrainës gjatë Luftës së Dytë.