Mbi 370 qytetarë të helmuar, dalin analizat e ujit të pijshëm në Krujë dhe zbulohet shkaku

Ujësjellës Kanalizime Krujë sh.a përmes një njoftimi bën me dije se pas helmimit të banorëve në Krujë, është ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm për banorët e qytetit të Krujës.

Nga ana tjetër bëhet me dije se nga ana e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor janë kryer analizat e ujit në burim, në depot e qytetit dhe në pikat fundore të rrjetit shpërndarës.

Në njoftim thuhet se nga të dhënat paraprake të analizave fiziko-kimike të deritanishme, dyshohet se reshjet e dendura të shiut ditën e shtunë pasdite dhe në orët e para të ditës së dielë, të kenë sjellë kontaminimin e ujit të pijshëm, ku paraprakisht është konstatuar prezencë e amoniakut mbi normë.

Po ashtu, pohohet se në mënyrë që të shmanget çdo rast i mëtejshëm kontaminimi, kërkohet që të mos konsumohet uji në depozitat familjare dhe dhe të bëhet zbrazja e tyre me qëllim pastrimin përfundimtar të rrjetit deri në pikat fundore.

Njoftimi:

Në vijim të situatës së ndodhur në qytetin e Krujës, ku gjatë ditës së djeshme, e Hënë datë 25/10/2021, janë paraqitur për ndihmë mjekësore një numër i konsiderueshëm banorësh pranë Spitalit Bashkiak “Stefan Gjoni” Krujë me komplikacione shëndetësore, të cilat dyshoheshin si shkak prej konsumimit të ujit të pijshëm, sqarojmë si vijon: Menjëherë, si masë e parë prej dyshimit të ngritur, në orën 10:30 të ditës së Hënë, Ujësjellës Kanalizime Krujë sh.a ka ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm për banorët e qytetit të Krujës dhe nga ana e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor janë kryer analizat e ujit në burim, në depot e qytetit dhe në pikat fundore të rrjetit shpërndarës. Gjithashtu, nga ana e Institutit të Shëndetit Publik janë marrë mostra të ujit dhe disa kampione tek pacientët e hospitalizuar për të analizuar dhe gjetur shkaqet më të detajuara.

Nga të dhënat paraprake të analizave fiziko-kimike të deritanishme, dyshohet se reshjet e dendura të shiut ditën e shtunë pasdite dhe në orët e para të ditës së dielë, në të gjithë territorin e Bashkisë Krujë dhe në veçanti në Malësinë e Krujës ku ndodhen veprat e marrjes së ujësjellësit, të kenë sjellë kontaminimin e ujit të pijshëm, ku paraprakisht është konstatuar prezencë e amoniakut mbi normë. Gjithsesi ky rast mbetet për tu verifikuar pasi analizat periodike te kryera nga laboratorët e NjVKSh përpara kësaj periudhe, kanë rezultuar të jenë në norma optimale. Dje janë analizuar edhe mostrat e ujit nga veprat e marrjes në Shkretë dhe në burimin e Livadheve, ku parametrat fiziko – kimike të të cilëve kanë rezultuar të jenë vazhdimisht brënda normave. Sot, janë analizuar nga NjVKSh mostrat e marra nga depozitat e qytetit të cilat kanë rezultuar brënda normave të lejuara. Gjithsesi, jemi në pritje edhe të analizave më të detajuara mikro – biologjike nga ISHP, të cilat do të japin të dhëna më të detajuara të normave të komponentëve të ujit dhe do të shërbejnë për çertifikimin e furnizimit në vijim të popullatës me ujë të pijshëm.

Përsa i përket furnizimit të popullatës me ujë të pijshëm në ditët në vijim, sqarojmë se UKK Krujë po vijon me dezinfektimin e depove të qytetit me anë te proçesit të klorinimit, ndërkohë analizat fiziko–kimike dhe ato mikrobiologjike do të çertifikojnë ri-fillimin e furnizimit me ujë të pijshëm për banorët. Në mënyrë që të shmanget çdo rast i mëtejshëm kontaminimi, kërkohet që të mos konsumohet uji në depozitat familjare dhe dhe të bëhet zbrazja e tyre me qëllim pastrimin përfundimtar të rrjetit deri në pikat fundore.

Ndërkohë që autorizimi i përdorimit të ujit të pijshëm do të njoftohet nga UKK Krujë dhe Bashkia Krujë, pas çertifikimit të analizave përfundimtare nga ISHP të pikave fundore të shpërndarjes në të gjitha zonat e qytetit të Krujës. Ekipi i punës i ngritur për manaxhimin e situatës me specialistët e UKK Krujë, Spitalit bashkiak të Krujës, Njësisë Vendore e Kujdesit Shëndetësor si dhe Institucioneve të tjera lokale dhe Qendrore, janë në gatishmëri për t’ju përgjigjur kësaj situate deri në normalizimin e saj, situate e cila fatmirësisht po shkon drejtë stabilizimit pas komunikimeve të fundit me Spitalin Bashkiak.


Shtuar 26.10.2021 17:55