Detajet tragjike nga vdekja e 9-vjeçares në Greqi: E ëma kërkonte në spitale dhoma teke pa kamera

Mediat në Greqi vijojnë të publikojnë detaje tronditëse rreth rastit të një nëne 33-vjeçare që dyshohet t’u ketë marrë jetën tre vajzave të saj të mitura. Në dosjen voluminoze të çështjes janë radhitur fakte që tregojnë fatin tragjik të 9-vjeçares Georgina që dyshohet të ketë gjetur vdekjen nga marrja në sasi vdekjeprurëse të ketaminës.

Vajza e vogël ndërroi jetë më 29 janar të këtij viti në spital dhe dyshohet që shkaktare për vdekjen e saj te jetë e ëma. Roula Pispirigou po ndiqet penalisht për vrasje me dashje ndaj vajzës së saj ndërsa sot është pritur nga turma e qytetarëve të revoltuar që ndër të tjera i thërrisnin “Turp të kesh.”

Sipas asaj që thuhet në dosje, sa herë që 33-vjeçarja Pispirigou shoqëronte vajzën e saj në një spital publik, kërkonte gjithmonë një dhomë teke dhe pyeste nëse kishte kamera në të me pretekstin se donte që të linte sendet personale të sigurta.

Fëmija, sipas asaj që thuhet në dosje nga prilli 2021 deri në ditën e kur dha shpirt më 29 janar 2022 ka kaluar 9 kriza që kanë qenë të papritura dhe për to nuk ka pasur asnjë shpjegim mjekësor.

Ajo është tronditëse është se gruaja një ditë para se vajza e saj të vdiste u tha mjekëve: “ Këto episode që patë nuk janë asgjë. Episodi i madh nuk e ka bërë ende”.

Ketamina

Sipas dosjes voluminoze të çështjes, asnjë nga mjekët dhe infermierët nuk i ka dhënë fëmijës ketaminë. E ëma ka qenë gjithmonë e pranishme dhe pranë 9-vjeçares. Më 28 janar, një ditë para se fëmija të vdiste ajo parashikoi episodin e madh që do të kishte vajza e saj dhe që përfundimisht ndodhi dhe çoi në vdekjen e saj. Fjalët e saj nuk kishin kuptim për mjekët, pasi të dhënat që kishin nuk parashikonin ndonjë krizë të rëndë.

Vlen të theksohet se hetimi ka ekzaminuar të gjithë personelin infermieror dhe mjekësor si në spitalin e fëmijëve “Aglaia Kyriakou” dhe në atë “Onassis Hospital”, ku po trajtohej edhe Georgina e vogël, muaj para vdekjes së saj.

Në fakt aty nuk u regjistrua asnjë episod i takikardisë së rrezikshme dhe u konstatua funksionimi normal i defibrilatorit që ishte vendosur. Gjithashtu janë kryer analiza gjenetike, analiza të specializuara gjenetike dhe janë testuar të gjitha sindromat që shkaktojnë vdekjen e papritur me rezultat negativ në të gjitha.

Së fundi, në raportin toksikologjik të përfshirë në dosjen e lëndës thuhet se vdekja e 9-vjeçares ka ndodhur si pasojë e helmimit vdekjeprurës. Në gjakun e vogëlushes u gjet ketaminë me një përqendrim shumë të lartë. Koha që i është dashur ketaminës për të dhënë efekt është nga 5 deri në 20 minuta. /abcnews.al/


Shtuar 31.03.2022 18:53