Ja vendimet që KKT mori sot (FOTO-LAJM)
Pëlqej
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit u morën sot disa vendime me rëndësi strategjike, për të cilat kryeministri Edi Rama shprehet se ndalojnë barbarinë që kanë kryer vendorët mbi territorin.

"I jemi kthyer me intensitet goditjes së ndërtimeve të paligjshme, por një problem i madh mbetet paligjshmëria që prodhohet përmes firmave dhe vulave të papërgjegjshme, që në shumë njësi vendore të vendit autorizojnë leje zhvillimi për shkatërrim. Praktikisht, në këtë vendim, ne marrim përsipër si Këshill Kombëtar i Territorit që në radhë të parë të fillojmë procedurat për rishikimin e instrumenteve të planifikimit vendor, të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit, me qëllim harmonizimin e tyre në funksion të ndarjes së re administrativo-territoriale, por edhe përtej ndarjes administrativo-territoriale në funksion të krijimit të një kulture vetëpërmbajtjeje ligjore dhe nënshtrimi përpara gjithë çfarë ligjet kanë paraparë në funksionimin e autoriteteve, për të autorizuar leje ndërtimi.
Kjo sjell domosdoshmërinë për të pezulluar me autoritetin e Këshillit Kombëtar të Territorit dhe në funksion të interesit tonë kombëtar dhe publik, por dhe të gjithë atyre interesave private që janë sakatuar dhe sakatohen çdo ditë, duke mos u marrë hiç parasysh, për qëllime nga më të errëtat, të zbatimit të të gjitha planeve vendore, të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit, deri në konstituimin e organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive të qeverisjes vendore, pas zgjedhjeve të vitit 2015." tha kryeministri Rama gjate fjales se tij.

Gjatë mbledhjes së sotme u vendos të çelen praktika konkurimi ndërkombëtar për projektet si më poshtë vijon:

Projekti 1: Hapësira Tiranë – Durrës, Ura e Metropolit të Ri të Shqipërisë

Projekti 2: Kurora e Tiranës, Frymëmarrja e Metropolit Shqiptar

Projekti 3: Rigjenerimi i Vijës Bregdetare Uji i Ftohtë – Palasë

Projekti 4: Himara dhe Yjësia e Vendbanimeve përreth, Një model i Ri Rikualifikimi Urban

Projekti 5: Hapësira Sarandë – Ksamil, Një Rrugë e Re Zhvillimi Turistik

Lufta kundër ndërtimeve të paligjshme dhe po ashtu kundër lejimit të vazhdës së masakrës mbi territor përmes lejesh abuzive e antiligjore, hyn në një fazë të re. /albeu.com/
Shtuar më 22/08/2014, ora 17:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori