“Erdogani ndërroi jetë”, thashethemi që trazoi Turqinë! “Mori dhenë” në rrjetet sociale

Një lajm i rremë është shpërndarë ditën e sotme në rrjetet sociale turke, ku është përfolur për vdekjen e presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan.

“Presidenti Erdogan ka vdekur në orën 4:30 të mëngjesit!”, ishte ky mesazhi që trazoi ujrat ditën e sotme në shtetin turk.

Ky postim i rremë ka nxitur diskutime të mëdha në vend, ndërsa 30 persona janë proceduar penalisht lidhur me rastin. Drejtoria e Përgjithshme e Sigurisë në Turqi bëri të ditur se ndaj përdoruesve konkretë janë nisur procedimet ligjore për “dezinformim”.

Ndërkohë që gazeta pro-qeveritare “Yeni Akit” fajësoi opozitën për përhapjen e thashethemeve. Gazeta pretendon se të gjithë personat që shpërndajnë lajme të tilla, sipas tyre kanë probleme psikologjike, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të krijojnë situata të tilla.

Por edhe opozita nuk ka mbetur pa reaguar. Deputeti i CHP-së, Aykut Erdoğdu, komentoi mesazhet e shumta që ka marrë lidhur me shëndetin e Erdogan.

“Jeta ime politike kaloi duke luftuar kundër Erdoganit. Dëshira ime e vetme është që në zgjedhje Erdogani të jetë i shëndetshëm dhe në formë, në mënyrë që të mbajë përgjegjësi,”-tha deputeti turk.

Kohët e fundit, kreu i shtetit turk po dyshohet se vuan nga sëmundje që ende nuk është e përcaktuar, por nga Presidenca është mohuar çdo lajm. Ndërkohë që herë pas here në rrjet janë shpërndarë pamje të Erdogan që mezi ecën, flet dhe ka problem me frymëmarrjen. Por sot me “vdekjen”, thashethemet kaluan në një fazë tjetër./albeu.com/