Ishte e para që foli hapur se e përdhunuan, gruaja në Kosovë u nda nga jeta në dëshpërim (FOTO LAJM)

Haxhi Balaj mban mend që 5 maji 1999 ishte një ditë me diell dhe se nëna e tij Shehrija po mundohej të gjente diçka për drekë për familjen. Atyre u kishte mbaruar mielli, ndër shumë gjëra të tjera që mungonin në ato ditë të vështira gjatë luftës në Kosovë.

Nëna e tij, një grua rome, ishte në shtëpinë e tyre në fshatin Bllagaje, në komunën perëndimore të Pejës, kur u dëgjuan të shtëna me armë. Ajo u tha fëmijëve të saj të qëndronin në shtëpi dhe të mos dilnin jashtë.

Pak më vonë, një makinë policie serbe hyri në oborrin e tyre dhe katër policë me uniformë e morën atë dhe e çuan në një vend të panjohur. Në mbrëmje, ajo u kthye, e gjakosur dhe me të nxira në të gjithë trupin.

Në vitin 2013, Shehrije Balaj u bë dëshmitarja e parë femër nga Kosova që dëshmoi se si u përdhunua, duke dhënë prova në gjyqin e ish-komandantit të Ushtrisë Jugosllave Toplica Miladinoviç dhe 10 të tjerëve në Beograd për krime lufte të kryera në fshatrat Qyshk, Pavlan , Zahaq dhe Lubeniq afër qytetit të Pejës, ku të paktën 100 civilë u vranë në prill dhe maj 1999.

Autorët e krimit ishin anëtarët e Njësisë 177 të Ushtrisë Jugosllave të njohur si “Çakallët”, të komanduar nga Nebosoja Miniç, i njohur ndryshe edhe si “Mrtvi”. “Çakallët” nuk u krijuan gjatë luftës në Kosovë. Ata kishin kryer tashmë masakra në Bosnje dhe Kroaci.

Shehrija identifikoi tre prej tyre në gjykatë – Srecko Popoviç, Boban Bogiceviç dhe Dejan Bulatoviç. Një grup luftëtarësh të njësisë “Çakallët” u dënuan në Beograd në 2014 me gjithsej 106 vjet burg, por gjykata serbe e apelit më pas e rrëzoi vendimin dhe çështja tani po rigjykohet.

Ndërkohë, Shehrije Balaj vdiq në varfëri në shtator 2018, pasi vuajti për shumë vite nga sëmundje të ndryshme.

Gjykata e Beogradit nuk u ofroi masa mbrojtëse viktimave dhe dëshmitarëve në gjyqin e njësisë “Çakallët, si edhe nuk u ofroi atyre këshillim apo mbështetje, tha djali i saj.

Në Kosovë, nënës së tij nuk iu dha as ndihmë dhe as përkrahje ekonomike. Dëshmia e saj për përdhunimin e saj nuk tërhoqi ndonjë vëmendje në vendlindjen e saj dhe ajo kurrë nuk u shtua në listat e ndonjë prej OJQ-ve të Kosovës që ofrojnë ndihmë për viktimat e përdhunimit gjatë luftës.

Ajo gjithashtu nuk arriti të fitonte statusin e viktimës së dhunës seksuale, një skemë e qeverisë së Kosovës që i jep mundësinë të mbijetuarave të kërkojnë pension mujor prej 230 eurosh pasi të kalojnë një proces verifikimi.

Ajo paraqiti një kërkesë, por Komisioni i qeverisë për Njohjen dhe Verifikimin e të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së Kosovës nuk pranoi t’i konfirmonte BIRN nëse kjo kërkesë ishte rishikuar apo jo.

Ligji i Kosovës ofron statusin e të mbijetuarve për ata që u sulmuan seksualisht në luftën midis 27 shkurtit 1998, kur filloi konflikti i armatosur, dhe 20 qershorit 1999, kur forcat serbe u tërhoqën nga Kosova pas bombardimeve të NATO-s.

Por ligji nuk përfshin pensione për familjet e viktimave që vdiqën gjatë procesit të verifikimit ose për të afërmit e atyre që vdiqën si rezultat i sulmit.

“Me vdekjen e viktimës, merr fund edhe e drejta e saj për të përfituar statusin”, tha për BIRN Mirlinda Sada, drejtoresha e Medica Gjakova, një OJQ që ofron mbështetje shëndetësore dhe ekonomike për viktimat e dhunës seksuale në luftën e viteve 1998-1999 në Kosovë.

Sada tha se ligji mund të ndryshohet në mënyrë që të përfshihen ata që kanë vdekur tashmë, por edhe të zgjasë afatin pesë vjeçar për aplikim.

Ajo ngriti çështjen e njerëzve që u bënë viktima të dhunës seksuale dy herë – shqiptarët e Kosovës dhe romët që u përdhunuan nga serbët gjatë luftës dhe nga shqiptarët menjëherë pas luftës.

“Kemi raste viktimash të përdhunuara nga të dyja palët – nga forcat e armatosura serbe dhe nga shqiptarët. Kemi gjithashtu raste në të cilat viktimat thonë se janë përdhunuar nga serbët, por kanë frikë të thonë se pësuan të njëjtën gjë edhe nga shqiptarët”, tha ajo.

“Trauma e luftës e përndiqte”

Ardiana Shala, një studiuese në psikologjinë sociale me fokus në traumën e luftës dhe përdhunimit, tha se aplikantët për statusin e verifikuar duhet të durojnë periudha të gjata pritjeje derisa aplikimi i tyre të rishikohet dhe të vendoset për të.

Ajo gjithashtu tha se duke njohur vetëm ata që iu nënshtruan dhunës seksuale para 20 qershorit 1999, autoritetet po shpërfillin vuajtjet e disa viktimave.

“Supozohet se shumica e viktimave të përdhunimit të luftës, të cilat u përdhunuan pas 20 qershorit mund t’i përkisnin grupeve etnike të pakicave (jo shqiptarë) dhe ata duhet të ndryshojnë afatin kohor”, argumentoi ajo.

Salih Nikci, i cili ishte dëshmitar në të njëjtin gjykim të “Çakallët” si Shehrije Balaj dhe dëshmoi dy herë në gjykatën e Beogradit për vrasjen e prindërve të tij dhe dhjetëra civilëve të tjerë në fshatrat Pavlan, Qyshk, Zahaq dhe Lubeniq, mendon se dëshmia e tij nuk ishte e plotë sepse ai nuk foli për përdhunimet që ishin kryer.

“Pjesa më e vështirë për burrat ishte të flisnin për përdhunimin e grave. Të gjithë ne që dëshmuam ishim në dijeni të këtyre rasteve, por nuk mund t’i tregonim të gjitha, edhe pse e patëm mundësinë për të folur për të gjitha”, tha Nikci.

Megjithatë, dy gra shqiptare etnike që dëshmuan në gjyq e kanë fituar statusin e viktimës seksuale të kohës së luftës.

Halit Gashi, një tjetër dëshmitar në çështjen kundër “Çakallët”, të afërmit e të cilit u vranë në Pavlan, tha se gratë rome që u bënë viktima të përdhunimit gjatë luftës, si Shehrije Haxhi, nuk morën vëmendjen e duhur “për shkak të prejardhjes së tyre etnike”.

“Unë jam në dijeni të rastit të saj. Është për të ardhur keq ajo që i ndodhi asaj gjatë dhe pas luftës”, tha tha Gashi.

Haxhi tha ndërkohë që gjykata e Beogradit nuk dha asnjë masë mbrojtëse për viktimat dhe dëshmitarët, apo t’u ofronte atyre ndonjë këshillim apo mbështetje.

Pas dëshmisë së saj në Beograd, ai kujtoi se si shëndeti i nënës së tij u përkeqësua më tej.

“Ajo kishte shumë probleme shëndetësore. Trauma e luftës e përndiqte akoma. Dëshmoi dy herë në gjykatë dhe kjo ishte shumë e vështirë për të”, shpjegoi Haxhi.

“Ajo shkoi dy herë në Beograd për të dëshmuar dhe kjo ishte shumë e lodhshme për të. Një herë humbi ndjenjat në gjykatë dhe e çuan në spital. Ballafaqimi me ata që e përdhunuan dhe risjellja në kujtesë e asaj ndodhie në sallën e gjyqit ishte tepër e padurueshme për të”, shtoi ai.

Ai shtoi se familja e ka shumë të vështirë të kujtojë vuajtjen e nënës së tij.

“Ajo vdiq në dëshpërim sepse askush nuk e njohu apo mbështeti atë, edhe pse ajo dëshmoi në gjykatë për përdhunimin”, tha ai./birn/



Shtuar më 19/11/2019, ora 12:04

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori