Zyrtarja e DASH sot në Tiranë, takim me Ramën dhe tre përfaqësues të PD-së

Ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euro aziatike, Karen Donfried ka mbërritur në Shqipëri mbrëmjen e djeshme. Gjatë ditës së sotme ajo pritet të ketë një sërë takimesh me zyrtarët shqiptarë.

Mësohet se Karen Donfried do të zhvillojë një takim me 3 zyrtarët demokratë të cilët vijojnë të mbështesin linjën e amerikanëve, që SHBA-të i njohin si përfaqësues të PD-së zyrtare, Jorida Tabakun, Gazment Bardhin dhe Enkelejd Alibeajn.

Takimi do të zhvillohet në orën 10:00, në Kryesinë e Kuvendit, dhe më pas do të ketë dhe një konferencë për shtyp.

Ashtu sikurse Gabriel Escobar bëri në dhjetor, para mbledhjes së Kuvendit të stadiumit edhe shefja e tij, Karen Donfried pritet të bëjë të qartë qëndrimin e amerikaneve nëse drejtimin e partisë me te madhe të opozitës e merr Sali Berisha.

Ndërkohë që mesditën e së premtes është parashikuar një takim edhe me kryeministrin Rama rreth orës 12:00. Në agjendën e zyrtares amerikane nuk është parashikuar një takim me presidentin Ilir Meta.

Kujtojmë se sapo mbërriti në Shqipëri, e dërguara e DASH të parin që takoi ishte Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili qe një ditë më parë në një vizitë zyrtare në Shqipëri në kuadër të turit të tij në rajon./albeu.com