Rrëmbyen dhe torturuan Jan Prengën, sot caktohet masa e sigurisë për 5 autorët

Ka nisur seanca për dhënien e masës së sigurisë për 5 të arrestuarit për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës.

Deri më tani në pranga kanë rënë Leonard Hajri 36 vjeç, (i dënuar më parë) babai i tij Bajram Hajri 64 vjeç, kushëriri Elton Hajri 32 vjeç, një tjetër anëtar i familjes, Festim Bexhdili dhe shoku i tyre Olsi Turja 36 vjeç, të gjithë banues në Shijak.

Këta persona akuzohen për “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, “Veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës”, “Përkrahja e autorit të krimit”, të kryera në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Këta persona së bashku me Altin Hajrin, pronari i kompleksit ‘Golden’ në Shijak ku vdiq Jan Prenga mendohet se kanë ekzekutuar vetëm urdhrin nga “kokat” e bandës që kishin porositur rrëmbimin e Jan Prengës në Kamëz më 17 janar të këtij viti.

Rrëmbimi i Prengës ka ardhur për shkak të një sasie prej 278 kg kokainë, që vëllai i Jan Prengës, Astrit Prenga mbante peng në Angli dhe nuk e tregonte se ku e kishte çuar. Ky i fundit është ndodhet i arrestuar në Angli.

ABC News ka mësuar se porosia për rrëmbimin e Jan Prengës më 17 janar në Kamëz, është dhënë nga Dritan Rexhepi nga Vlora, i cili është person në kërkim për vrasjen e dy efektivëve të policisë në Shqipëri, ndërkohë që aktualisht ndodhet në një burg të sigurisë së lartë në Quito të Ekuadorit, për trafik droge.


Shtuar 31.01.2020 10:05