Shpërndanin “mall” bashkë: Arrestohet 22 vjeçari në Tiranë, në kërkim një tjetër

Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë një 22-vjeçar që posedonte dhe shpërndante lëndën narkotike, si dhe shpallet në kërkim policor një shtetas tjetër.

Këta dy shtetas merreshin me shpërndarjen në doza të vogla të lëndës narkotike të llojit cannabis sativa, dhe në rrugën “Kongresi i Tiranës”, efektivët e policisë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor antidrogë, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit R. M., 22 vjeç, si dhe u shpall në kërkim policor shtetasi D. G., 31 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Sipas policisë, D. G. merrej me shpërndarje të lëndës narkotike të llojit cannabis sativa, në rrugën “Kongresi i Tiranës” dhe në aktivitetin e tij kriminal ndihmohej nga shtetasi R. M.

Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 141 doza me lëndë narkotike cannabis sativa.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, në ngarkim të shtetasve R. M. dhe D. G.


Shtuar 17.06.2020 14:42