Instruktori shqiptar i S.W.A.T: Dua pasaportën e Shqipërisë (FOTO LAJM)

Në të gjithë botën numërohen 10 instruktorë policie të nivelit të 8 në Commando Krav Maga të Izraelit dhe njëri prej tyre është shqiptari i Kosovës, Uliks Gjonaj. Për Amerikën, Izraelin dhe Zvicrën, Uliksi është individ shumë i rëndësishëm, pasi të gjitha këto shtete i kanë besuar atij Policinë e Shtetit.

Ai stërvit skuadrën policore më të fuqishme në botë siç është SWAT-i amerikan, apo FBI. Gjonaj është qytetar i Amerikës dhe Zvicrës dhe vite më parë ka kërkuar të pajiset më pasaportë shqiptare, por për shtetin tonë instruktori ndërkombëtar është një qytetar i zakonshëm. Historia e Uliksit është e pazakontë. Ai braktisi mjekësinë për tu bërë pjesë e policisë.

“Nisa studimet për mjekësi në Kosovë, më pas emigrova në Amerikë bashkë me familjen. Edhe atje rifillova shkollën si ndihmësmjek. Rastësisht takoj dy policë. Ata duke parë fizikun tim më këshilluan që të vizitoj shkollën e policisë. Shkoj dhe atje nis menjëherë studimet, dhe sapo i përfundova ato më japin titullin si instruktor”, tregon Uliksi.

Instruktori ndërkombëtar më orgjinë shqiptare nuk ka habitur vetëm Amerikën, por edhe Europën. “Në Evropë jam i vetmi i licensuar si instruktor i instruktorave”, thotë ai.

40 vjeçari punon si instruktor i Swat-it megjithatë ai gjen gjithnjë kohë të këshillojë policinë shqiptare. Sot stërvit kategorinë e policeve femra, më herët ka qenë si instruktor i Renea-s dhe grupit të ‘Shqiponjave’.

Kush është grupi më elitar që ke stërvitur? Grupi më elitar që ka stërvitur Uliksi është Swat i Amerikës. Kuptohet që trajnimet e FBI janë të veçanta. Jo më larg se një muaj trajnova 45 pjesëtarë të Swat-it. Në arenën ndërkombëtare të instruktorëve Uliksi prezantohet me pasaportën zviceriane. Pavarësisht kësaj sot ribën kërkesën e tij për të qenë qytetar i Shqipërisë.

“Kërkesën e kam bërë tek Presidenca, Kryeministria dhe Ministria e Brendshme. Por, sipas rregullave më është kthyer përgjigja që duhet të qëndroj 5 vite në Shqipëri dhe të bëj të gjitha pagesat, por unë nuk kam mundësi dhe kohë të qëndroj 5 vite këtu”, thotë ai me jo pak dëshpërim për mosplotësim të kësaj kërkese.

Rrënjët e tij janë nga qyteti i Shkodrës për këtë arsye dëshira është të njihet si Uliks Gjonaj instruktori nga Shqipëria. “Dua të përfaqësoj Shqipërinë dhe t’i tregoj botës që ka njerëz që përfaqësojnë shtetin dhe flamurin shqiptar, dhe jo gjithomë ne shqiptarët jemi ata që përfaqësojmë shtetet e tjera”, shprehet Uliksi.

Nëse të gjithë shqiptarët ëndërrojnë të kenë një pasaportë europiane apo amerikane, duket se dëshira e Uliksit është shumë ndryshe nga ajo e të rinjve tanë. Ai kërkon të jetë qytetar i Shqipërisë vetëm për një arsye, që Shqipëria të lakohet në dyert e policisë botërore si një vend që prodhon njerëz elitarë. /Top Channel/
Shtuar më 03/08/2019, ora 15:11
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori