Rama mbledh sot qeverinë në Tepelenë, çfarë pritet të ndodhë

Pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS, kryeministri Edi Rama do të mbledh kabinetin e tij qeveritar në Tepelenë, sot dhe nesër 28-29 Korrik.

Sipas informacioneve, secili prej ministrave përkatës do të bëj një analizë të thellë të punës së realizuar deri më tani.
Të gjithë ministrat kanë konfirmuar pjesëmarrjen, ndërsa për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjikale, Evis Kushi do të zëvendësohet në këtë mbledhje nga zvn ministrja Albana Tole.

Kujtojmë se dy ditë më parë në Asamble, kryeministri Rama shkarkoi të gjithë sekretariatin e forcës politike që ai drejton, së bashku me sekretarin e Përgjithshëm Damian Gjiknuri.

Përkohësisht, funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm do ta mbajë zoti Blendi Klosi. Në fund të muajit shtator apo fillim të tetorit, socialistët do të mbledhin sërish Asamblenë si dhe do të organizojnë një kongres të jashtëzakonshëm.

Asambleja socialiste votoi të mërkurën, dhe emërimin e ish ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, në detyrën e kryetarit të grupit parlamentar socialist, duke kryer kështu një rokadë të plotë me zotin Taulant Balla, i cili mori drejtimin e ministrisë së Brendshme./albeu.com/


Shtuar 28.07.2023 08:06