Bënin kërdinë nëpër biznese duke vjedhur, 2 të arrestuar në Tiranë

Dy persona janë arrestuar nga policia e Tiranës pasi akuzohen për vjedhje.

Blutë kanë zbardhur dhe dokumentuar 8 raste të vjedhjeve në subjekte të ndryshme, të ndodhura gjatë muajve janar dhe shkurt 2023.

Një person tjetër është proceduar në gjendje të lirë pasi përvetësoi sendet e vjedhura.

Në kuadër të operacionit policor “Cactus” u bë arrestimi i S. L., 31 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vepra penale në fushën e narkotikëve dhe  A. B., 31 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje.

Nga tërësia e veprimeve hetimore, rezultoi se këta shtetas kanë kryer një sërë vjedhjesh, në kohë dhe në vende të ndryshme, 8 prej të cilave janë zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore.

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, gjatë punës hetimore, kanë dokumentuar me prova ligjore se këta shtetas, gjatë muajve janar dhe shkurt, kanë vjedhur shuma të ndryshme parash dhe sende të ndryshme, në 8 subjekte (biznese) të ndryshme, në Tiranë.

Në vijim të veprimeve, ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Sh. K., 41 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, pasi ka përvetësuar sendet e vjedhura nga këta shtetas.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti dhe veshjet që dyshohet se janë përdorur nga autorët, gjatë kryerjes së vjedhjeve.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga dy shtetasit e arrestuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./Albeu.com/


Shtuar 20.02.2023 09:42