Valë e re sulmesh ruse mbi Odesa

“Odesa: një tjetër sulm natën i monstrave”, shkroi në shërbimin Telegram, Oleh Kiper, guvernator i rajonit jugor ukrainas për Odesën duke bërë të ditur se “për fat të keq kemi një civil që është vrarë”. Sipas të dhënave të Kiper ka pasur dëme në “infrastrukturuën civile, ndërtesa banimi dhe institucione fetare.” Sipas agjencive është dëmtuar rëndë edhe kisha më e madhe ortodokse e qytetit Odesa.

Ushtria ukrainase në fillim të qershorit dha sinjalin për kundërofensivën me synim rimarrjen e zonave të pushtuara ngaRusia. Qëllimi i deklaruar ishte edhe vendosja e Krimesë nën kontrollin e Ukrainës. Përmes gadishullit të Krimesë kalon edhe një pjesë e madhe e furnizimeve për trupat ruse në jug të Ukrainës. Vetëm në fillim të kësaj jave u dëmtua nga një sulm ura 19 km e gjatë që lidh tokën ruse me Krimenë.

Ndërkohë ushtria ukrainase ka konfirmuar një sulm ndaj Gadishullit të Krimesë, të aneksuar ngaRusia në vitin 2014. Sulmi të shtunën ka synuar të godasë “objektiva ushtarake” dhe është kryer nga forcat ushtarake ukrainase, thuhet nga qarqet ushtarake, sipas “tagesschau”. Nuk janë dhënë hollësi të tjera. Më parë guvernatori i emëruar nga Moska në Krime, Sergej Aksjonov kishte bërë të ditur, se përmes një sulmi me dronë nga Ukraina ka shpërthyer një depo municioni. Pas kësaj u mor vendimi për evakuimin e një rajoni në një qark prej pesë kilometrash. Sipas Aksjonov u ndërpre përkohësisht edhe lëvizja me trena.


Shtuar 23.07.2023 08:48