Afganët në Shqipëri shpresojnë të rifillojnë jetën në SHBA

Afganët e evakuuar në Shqipëri vitin e kaluar vazhdojnë të presin për t’u shpërngulur në Shtetet e Bashkuara.

Shumë prej tyre ndjekin zhvillimet në Afganistan ndërsa mbeten të bllokuar në Shëngjin, rreth 70 kilometra në veriperëndim të Tiranës.

Qindra refugjatë që u larguan nga Afganistani pasi talebanët rimorën kontrollin e vendit të tyre më shumë se një vit më parë, mbeten të bllokuar në Shqipëri, duke pritur që të konkretizohet premtimi për një transferim të përhershëm në Shtetet e Bashkuara.

Shumë thonë se lajmet nga Afganistani dhe pritja e gjatë për të marrë dokumentat për zhvendosjen përfundimtare kanë filluar t’i rëndojnë kushtet e tyre, por ata mbeten me shpresë.

“Gjithmonë mendoj se kemi humbur rininë tonë në Afganistan”, thotë Firooz Mashoof, prindërit, vëllezërit dhe motrat e të cilit mbeten në qytetin e tij të lindjes, Herat në Afganistan.

Firooz Mashoof po jeton në Shëngjin. Ai kishte shpresuar se do të ishte vetëm një qëndrim i shkurtër.

Firooz Mashoof – ende zyrtarisht një zëdhënës i Federatës Afgane të Futbollit – thotë se viti i kaluar i jetës së tij ka qenë i mbushur me “ditë të vështira”.

Dy javë më parë, gruaja e Firoozit – e cila gjithashtu u evakuua në Shqipëri – solli në jetë fëmijën e tyre të parë, një vajzë.

“Vetëm shpresoj që vajza ime të rritet larg luftës dhe të ecë përpara me jetën e saj në Amerikë. Nuk dua që vajza ime të përjetojë atë që kemi kaluar ne dhe tani ky është qëllimi i vetëm në jetën time,” thotë Firoozi, duke shfaqur shpresën se kjo “do të ndodhë pak më shpejt”.

Rreth 2,400 afganë u evakuuan në Shqipëri në gusht dhe shtator të vitit 2021 dhe iu dhënë strehim të përkohshëm në Shëngjin.

Organizatat joqeveritare nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera ofruan mbështetje financiare për strehimin e tyre.

Qeveria shqiptare tha në atë kohë se do të strehonte disa mijëra afganë për të paktën një vit, përpara se të transferoheshin në Shtetet e Bashkuara.

Kohët e fundit, qeveria u zotua t’i mbajë ata për më shumë se një vit nëse vizat e tyre për në SHBA vonohen.

Pritja e gjatë për një shans për të rifilluar jetën e tyre në SHBA është e vështirë për të evakuuarit, por shumë prej tyre kanë vetëm fjalë të mira për mënyrën se si trajtohen në Shqipëri.

Rabia Yaqoobi është një futbolliste e re nga qyteti verior afgan i Dehdadit që jeton në Shëngjin.

“Jeta është e mirë këtu, unë mund të stërvitem edhe pse nuk kemi terren dhe pajisje të duhura. Por megjithatë, ne vijmë këtu në këtë terren sportiv dhe stërvitemi, dhe gjithashtu punoj në një restorant. Kështu që vazhdoj jetën time si kam bërë në Afganistan, stërvitem dhe punoj. Kur të shkoj në Amerikë, dua të vazhdoj karrierën time si futbolliste”, thotë Rabia./VOA