“Mos e fshihni Ramën”, deputetët e opozitës thirrje Nikollës: Seanca e kaluar e parregullt, anuloni ligjet që miratuat

Deputetët e opozitës kanë kërkuar që të anulohen ligjet e seancës së kaluar plenare, pasi ajo u mbajt në kaos dhe shume deputetë nuk e dinin çfarë votuan.

Deputeti Gazment Bardhi tha se është shkelur rregullorja dhe bëri thirrje që të paraqitet kryeministri Edi Rama për t’u përgjigjur opozitës.

“Sipas Rregullores së Parlamentit, kur shkaktohet kaos, drejtuesi i seancës pezullon seancën plenare. Nëse kaosi vijon, ndërpritet seanca dhe vijon në seancën më të afërt plenare. Akti i vetëm që mund të bëni ju sot, nuk është miratimi i një procesverbali, por leximi i atyre 15 ligjeve që kaluat pa u dëgjuar. Keni vrarë rregulloren, nuk ka nevojë të bëheni mburojë e Ramës, mos e fshini, silleni në seancë, të japë llogari përsa kohë paguhet si kryeministër i këtij vendi. Anuloni ato ligje që keni miratuar në shkelje të rregullores. Nuk mund t’i hiqni të drejtën e fjalës Opozitës”, tha Bardhi.

Të njëjtin qëndrim mbajti edhe deputetui Luan Baçi, i cili e cilësoi të parregullt seancën.

Po ashtu edhe deputetët Ervin Salianji dhe Jorida Tabaku vunë në dukje problematikat e seancës së kaluar. /albeu.com


Shtuar 2.02.2023 10:35