A është vërtet Vuçiç pranë kthesës së madhe apo thjesht po blen kohë?

Nga Maja Bjeloš & Srdjan Cvijic “Euractiv

Shumëkush e interpretoi me nxitim lëvizjen e Aleksandar Vučić si një zhvendosje larg Moskës dhe drejt Perëndimit. Pavarësisht nëse Vučić e pranon apo e refuzon marrëveshjen  ofruar nga Perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, kjo është hera e parë që kur ai u ngjit në pushtet në vitin 2012, që ndodhet vërtet me shpatulla pas murit.

Duke e shmangur me mjeshtëri vëmendjen e publikut nga përmbajtja e propozimit të Francës dhe Gjermanisë dhe pasojave të tij, Vučić i tha elektoratit se nëse Serbia nuk e pranonte planin, ajo do të përballej me zemërimin e BE-së dhe SHBA-së.

Do të ndërpriteshin bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, do të hiqej regjimi i udhëtimit pa viza në vendet e BE-së, do të pakësoheshin kreditë e FMN-së, do të nisnin të frenoheshin investimet e huaja direkte në Serbi, dhe vendi do të përballej me një izolim ndërkombëtar të fortë.

Në Serbi, një vend tërësisht i varur ekonomikisht nga BE-ja, materializimi i cilitdo prej këtyre kërcënimeve do të rrezikonte vërtet seriozisht mbretërimin e Vučić. Brenda një çast, interesat politike në Serbi i përmbysën shpejt qëndrimet e saj tradicionale ndaj Kosovës.

Partitë politike konservatore nacionaliste në Parlament e ballafaquan Vučić me të njëjtat parulla nacionaliste për Kosovën, që ai ua përmendte të tjerëve që nga vitet 1990. Presidenti serb po i përdor polemikat e shumta rreth propozimit franko-gjerman, përfshirë krizën e sajuar pak muaj më parë në Kosovë, për ta pozicionuar veten si një aktor kyç dhe për të rritur sa më shumë popullaritetin e tij në sondazhe.

Kjo ishte më se e dukshme në mesin e krizës për targat e Kosovës. Vučić u shfaq 68 herë drejtpërdrejt në kanalet televizive kombëtare (sipas monitorimit të mediave të kryer nga Qendra për Kërkim, Transparencë dhe Përgjegjësi (CRTA) në janar të këtij viti).

Duke e ditur se 54 për qind e popullsisë ndjek kanalet televizive kombëtare të kontrolluara nga regjimi, ndërsa përqindja e televizioneve pavarura dhe kritike ndaj sundimit të tij është vetëm 2 për qind, Vučić dhe njerëzit e tij kishin mundësi të diktonin një narrativë e cila të ishte më në favor të pranimit të marrëveshjes me Kosovën.

Megjithatë, kjo nuk ndodhi, kryesisht për shkak të vlerësimit të dobët të partisë së tij në Serbi. Për të justifikuar pranimin e marrëveshjes para votuesve të tij, Vučić u detyrua ta portretizonte veten si një viktimë e Perëndimit, dhe që gjendet nën një presion të madh për t’i dhënë fund ngërçit mbi Kosovën. Në këtë mënyrë presidenti serb nxiti edhe ndjenjat anti-perëndimore të publikut serb.

Kosova sjell në çdo rast humbje për Vučić

Në vitet e para të sundimit të tij, Vučić u përpoq të fitonte mbështetjen e elektoratit të qendrës përmes fushatës së tij kundër korrupsionit. Por ai e ndoqi atë strategji, në një kohë që duhej të kënaqte gjithmonë edhe bazën e tij politike në të djathtë.

Lëvizja e Vučić drejt shumicës së heshtur pak nacionaliste, por pragmatike, e cila nuk do ta shkëmbente kurrë Rusinë me BE-në, duhej të kombinohej njëkohësisht me nxitjen e elektoratit në të djathtë. Po ashtu, Vučić e dinte gjithashtu se çfarëdo që të bënte, për shkak të së kaluarës së tij radikale gjatë viteve 1990, nuk do të fitonte asnjëherë besimin e afërsisht 20 për qind të votuesve serbë.

Pra ai mund të fitonte votën e votuesve të djathtë dhe atyre të qendrës, por nuk do të joshte kurrë segmentin progresiv (të majtë) të elektoratit serb. Kjo është arsyeja pse tek e fundit nuk pati rezultat nxitja e politikave dhe e narrativës pro-perëndimore. Falë propagandës së Vučić, fuqia e butë ruse ka hedhur rrënjë të thella në Serbi.

Po ashtu është forcuar edhe nacionalizmi. Kosova, Rusia dhe nacionalizmi janë një perde e përsosur për të fshehur problemet. Tërheqja e gjithë vëmendjes ndaj këtyre temave i largon votuesit nga shikimi i problemeve reale: kapja e shtetit nga partia e Vučić, lidhjet e thella të regjimit aktual me krimin e organizuar, shpopullimi i shpejtë i vendit, një krizë ekonomike e afërt etj.

Pasi të zgjidhet çështja e statusi të Kosovës, ka shumë të ngjarë të dalin në sipërfaqe shqetësimet mbi situatën e keqe ekonomike, korrupsionin dhe kapitalizmin nepotik të Serbisë, dhe establishmenti politik aktual mund të sfidohet seriozisht.

Një takticien i mirë, por një strateg i keq

Nuk ka asnjë dyshim se Vučić është një takticien i mirë. Megjithatë, atij i mungon një strategji dhe një vizion përtej qëndrimit në pushtet me çdo kusht. Statusi i (pa) zgjidhur i Kosovës është një çështje, përmes së cilës ai synon të sigurojë mbijetesën e tij politike.

Llogaritja se kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të refuzonte themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe ishte pjesë e strategjisë së Vučić. Megjithatë, pasi Kurti la të kuptohet se do ta pranojë propozimin si një kornizë për bisedimet e mëtejshme me Serbinë, Vučić hasi në një problem serioz.

Në kundërpërgjigje, ai sinjalizoi se ishte gati për zgjedhje parlamentare të parakohshme në Serbi, duke përmendur justifikime të tilla zhgënjimi me sjelljen e partnerit të tij të koalicionit, Partisë Socialiste të Serbisë në lidhje me Kosovën, si dhe presionin e madh nga Perëndimi.

Vučić e kupton shumë mirë vendin e Serbisë në kontekstin e ri gjeopolitik pas agresionit rus kundër Ukrainës. Ai e di se lufta në Ukrainë e nxiti SHBA-në dhe BE-në të përshpejtojnë zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe çështjeve të tjera të pazgjidhura në Ballkan.

Megjithatë, presidenti serb e di gjithashtu se kur rrezikon që ta humbasë pushtetin, është më mirë të mos sillet si homologu i tij malazez Milo Đukanović. Ky i fundit ishte vetëm nën mbrojtjen e përkohshme të Perëndimit. Kjo ndodh sepse në fund Perëndimi i braktis autokratët: ata janë thjesht stabilizues të përkohshëm në kalimin nga jo-liberalizmi në liberalizëm.

Kur ballafaqohet me shumicën e heshtur të Serbisë dhe partnerët perëndimorë, Vučić i pëlqen ta krahasojë veten me Zoran Đinđić, kryeministrin reformist serb të vrarë në një atentat në vitin 2003. Megjithatë, ajo që i frikësohet Vučić realisht është se mos mund tw ketë një fat të ngjashëm me Ivo Sanader, ish-kryeministrin e Kroacisë që në vitin 2020 u dënua me burg për korrupsion për shumë akuza. Gjithçka që bën aktualisht Vučić synon kryesisht shmangien e fatit të Sanader. /albeu.com

Shënim:Srdjan Cvijić, president i Komitetit Këshillimor Ndërkombëtar të Qendrës së Beogradit për Politikat e Sigurisë (BCSP). Maja Bjeloš studiuese e lartë në BCSP.

 


Shtuar 15.02.2023 10:31