Reagime në Mal të Zi pas sulmit të Policisë ndaj ish-këshilltarit të Metës

Policia në Mal të Zi njoftoi se videoja e publikuar në rrjetet sociale më 21 shkurt, në të cilën shfaqet keqtrajtimi i një shtetasi shqiptar nga pjesëtarë të Policisë malazeze, është incizuar më 15 janar. Incidenti, sipas autoriteteve, ndodhi në pikën kufitare Sukobinë-Muriqan, afër Ulqinit.

“Lidhur me këtë ngjarje janë ndërmarrë masa dhe veprime zyrtare që kanë rezultuar me zbulimin e identitetit të të gjithë aktorëve të përfshirë në ngjarjen e përmendur dhe po përcaktohet përgjegjësia e zyrtarëve të Policisë”, u tha në njoftim.

Më 16 janar, Bashkimi Demokratik i Shqiptarëve, partia e Mehmed Zenkës, tha se një pjesëtar i Policisë së Malit të Zi kishte “keqtrajtuar një shtetas shqiptar”.

Së bashku me këtë njoftim, kjo parti prezantoi edhe një video të publikuar nga mediat shqiptare, duke kërkuar nga autoritetet që të zbulojnë se çfarë kishte ndodhur në pikëkalimin kufitar.

“Bashkimi Demokratik i Shqiptarëve u bënë thirrje organeve kompetente dhe kryeministrit [të Malit të Zi, Dritan] Abazoviq që të ndërmarrin masat e duhura për të ndriçuar situatën e përdorimit të forcës nga Policia ndaj personave të paidentifikuar dhe për të sqaruar urgjentisht këtë situatë”, u tha në njoftim.

Videoja është publikuar nga mediat shqiptare më 15 shkurt dhe nga Podgoricki vremeplov në Podgoricë pasditen e 21 shkurtit. Këto janë dy video të ndryshme të së njëjtës ngjarje, por videoja e dytë është më e gjatë dhe më e qartë, pasi është filmuar nga afër.

Në videon e publikuar, në një moment shihet dhe dëgjohet se si një burrë nga automjeti u thotë policëve se “nuk kam bërë asgjë”. Në video po ashtu dëgjohet fjalia “ule telefonin”, teksa polici nxjerr me dhunë nga makina shtetasin e huaj.

Më 21 shkurt, partia Alternativa Shqiptare tha se ky ishte “një incident i tmerrshëm, shkatërrues për Malin e Zi” ndodhi pak ditë para mbledhjes së planifikuar të përbashkët të dy qeverive.

Qeveria shqiptare dhe ajo malazeze do të mbajnë një mbledhje të përbashkët të hënën, më 27 shkurt.

Alternativa Shqiptare, partia e kryetarit të Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, dënoi ashpër incidentin që ndodhi në pikën kufitare të Sukobinës në kufirin midis Malit të Zi dhe Shqipërisë.

Sipas deklaratës së lëshuar nga partia Alternativa, cak i këtij incidenti ishte Petraq Milo, profesor universitar dhe ish-këshilltar për financa publike dhe politika monetar i kryeministrit të Shqipërisë.


Shtuar 21.02.2023 22:05