Mungesa e vendmbërritjes si mungesë vetëvlerësimi!

Nga Agim Baçi

“Yt bir ka një mangësi të madhe inkurajimesh!”. Kjo fjali e një psiko-pediatri ishte diçka e përmbledhur e një takimi të dy prindërve bashkë me të birin 15 vjeçar. Mjeku bisedoi dhe nga pyetje-përgjigjet që bënin bashkë me djaloshin, ngriti pikërisht një nga ato pak gjëra që gjithsecili nga ne ose nuk i vë re ose i vë re shumë vonë- a dimë ne t’u flasim fëmijëve në shtëpi apo në shkollë duke pranuar se janë të ndryshëm e jo njëlloj qoftë me vëllezërit e motrat e tyre biologjikë ashtu edhe me shokët e shoqet në shkollë?

Por, në fakt, vlen vërtet të pyesim: si ua shpjegojmë ne fëmijëve atë që ata duan, atë që pëlqejnë, me atë që marrin realisht në jetë apo me atë që duhet të marrin? A ka një rrugë përshkrimi se si rregullohet ai hendek dëshirash, sidomos në një botë ku simpatia dhe mirënjohja janë dy ndjesi që po humbin nga komunikimi i përditshëm dhe ku humbja e durimit te adoleshentët ndërpret të gjitha udhët për një vendmbërritje të qartë, mbështetur në ide?

Ndërkaq, nuk mund të shmangim përgjigjen për pyetjen se, cila është përgjegjësia jonë si të rritur nëse adoleshentët e sotëm nuk mendojnë për ndonjë vendmbërritje? A është dhe përgjegjësia jonë si të rritur që atyre sot u duket gjithçka e kotë, pa ngjyra? A është edhe faji ynë për faktin se shpesh në komunikimet e tyre mungon përgjegjësia morale apo ndjesia e fajit, ose që ky debat mund t’u duket i pavlerë?

Çfarë ndodh me adoleshentët kur intelekti i emocioneve nuk prek më as dashurinë, duke e kthyer gjithçka vetëm në seksuale dhe jo në të menduarit për tjetrin? A mjafton sot vetëm të kalërosh mbi protagonizmin vetëm si qëllim për të qenë i njohur pa e vrarë mendjen nëse nuk je i qartësuar moralisht apo në ndjesitë për gjithçka që bën e thua?

Në fakt, mungesa e vendmbërritjeve është pasojë e një jete në kërkim të vazhdueshëm të argëtimit, duke hequr ndodhitë, duke hequr objektivat. Për këtë mungesë objektivash nuk mund të fajësojmë vetëm fëmijët. Bota e tyre e brishtë është sot një botë në duart e teknologjisë, e cila i ka thjesht klientë të kohës së tyre dhe statistikë për atë që bëjnë, ndërkohë që ne si prindër duhet të këmbëngulim, bashkë me mësuesit, për të mos i braktisur në skajet e veprimeve të tyre.

Niçe na ka paralajmëruar se “rinia zhytet thellë në ekzistencën e vet”. Paralajmërimi i tij i fortë ishte në atë kohë kur nuk parashikohej ky pushtim i kohës dhe qëllimeve nga teknologjia. Sot, kjo thënie e Niçes nuk vlen vetëm për t’iu besuar më shumë të rinjve, por edhe si një nevojë për të gjetur shtegun e komunikimit që të mos u humbë etja për jetën, etja për dijen.

Të rinjët e sotëm shpesh na tregojnë se janë vitalë, janë të zgjuar. Përballë vitalitetit të tyre, kreativitetit që ua ka shtuar edhe pushteti teknologjik, duket se ne prindërit nuk po mundemi të rindërtojmë me ta hartën e rrugëtimeve, të emocioneve, e sidomos të vendmbërritjeve, duke i lënë në një vetëvlerësim të ulët për atë që mund të arrijnë. Duket se jemi në atë fazë që paralajmëronte filozofi Ivan Iliç në librin e tij “Shoqëria pa shkollë”, i cili na paralajmëronte ne  prindërve se, me pafuqinë tonë për të komunikuar me ta, rrezikojmë t’u krijojmë bindjen se nuk do të kenë asnjë  fuqi ta ndryshojnë realitetin. E nëse i krijojmë këtë iluzion, të një varke pafuqie, përballë dallgëve të përditshmërisë, a e kemi ne më pas moralin që t’u kërkojmë atyre që të mos heqin dorë nga ëndrrat, që të mos i jepen tanishmërisë, që të mos flenë vetëm në shtratin e argëtimit?


Shtuar 21.02.2023 17:12