Pjesëmarrje e ulët në zgjedhje, kryetari i KQZ-së: Qytetarët të dalin në votime, të ndërtojnë institucione legale

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Kreshnik Radoniqi, i ftoi qytetarët në veri të Kosovës që ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

“Në këtë mënyrë t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe t’i ndërtojnë institucionet legale demokratike”, tha Radoniqi gjatë një vizite në qendrën e votimit në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut.

Në këtë qendër votimi, sipas tij, deri më tani kanë votuar rreth 60 persona.

“Procesi është duke shkuar mirë dhe nuk ka ndonjë problem”, tha Radoniqi.

Nga ana tjetër, ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, thotë për Radion Evropa e Lirë se, pavarësisht numrit të vogël të votuesve në veri të Kosovës, kryetarët e komunave atje do të zgjidhen, nëse procesi është i rregullt.

“Përsëritje [të zgjedhjeve] nuk do të ketë, veç nëse dëmtohet procesi, atëherë po. Por, në rrethana të rregullta, në rrethana kur qytetarët dalin e votojnë dhe kryejnë detyrën e tyre, mbyllen vendvotimet, numërohen votat… Përsëritje nuk do të ketë”, thotë Daka.


Shtuar 23.04.2023 11:22