Grabiti celularin në pikë karburanti, por "gafa" e këtij gardist ngriti policinë në këmbë (FOTO LAJM)

Grabiti me dhumë shitësin e një karburanti në Tiranë duke i marrë edhe një "smartphone" duke mos menduar se ky do të ishte edhe shkaku i arrestimit të tij.

Por, punonjësi i Gardës së Republikës, Geraldo Guci nuk është mjaftuar me kaq. Ai e ka marrë celularin e grabitur në vendin e tij të punës duke ia treguar kolegëve. Vendi i punës së tij, ishte pikërisht salla e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë.

Ndërkohë duke gjurmuar adresën “Icloud”, policia ka arritur të lokalizojë vendndodhjen e telefonit. Gjurmët çonin askund më pak se brenda sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, shkruan "Gazeta Shqiptare".

Deklarimi në prokurori

Vendosa të vidhja pikat e karburanteve, sepse kisha borxhe. Shokët më kërkonin paratë dhe unë kisha turp t’i thosha babait. Nën kërcënimin e një arme lodër, shitësit të njërit prej karburanteve i mora 400 mijë lekë të vjetra. Me një pjesë të tyre lava borxhet, ndërsa me pjesën tjetër të parave luajta në skedina…”

Kështu e nis dëshminë e tij përpara hetuesve, Geraldo Guci, ish-ushtar profesionist në Gardën e Republikës, i cili ka pranuar se ka kryer 4 grabitje në Tiranë. Ai ka shprehur pendesë të thellë për veprimet e kryera dhe ka shpjeguar me detaje mënyrën sesi ka vepruar.

“Me 3 shtator 2016 vendosa te vjedh një karburant në rrugën “Myslym Shyri”. Isha jashtë shtëpisë për kafe dhe u nisa në drejtim të pikës së karburantit rreth orës 01:30. Shkova tek makina që e kisha parkuar tek 21 dhjetori dhe ndërrova rrobat. Vesha një bluzë me ngjyra, një kapuç të kuq, një palë tuta treçerekëshe të zeza dhe atlete blu. Vura në brez një pistoletë lodër, plastike me ngjyrë të zezë, e cila në pamje të parë dukej e vërtetë. Nga “21 Dhjetori” deri tek karburanti eca më këmbë nëpër rrugica të lagjes.

U fsheha tek disa shkallë pallati për disa minuta dhe vura një shami në fytyrë për të mos u identifikuar. Shitësi ishte duke luajtur në celular. Me shpejtësi i drejtova pistoletën lodër dhe i thashë ‘Lekët shpejt!’. Ai më dorëzoi lekët. Rrobat që përdora në ngjarje i hodha në kazanët e plehrave”, rrëfen ai.

Duke u ndalur tek grabitja e fundit, ish-ushtari profesionist ka këmbëngulur se pas saj kishte vendosur të tërhiqej dhe të mos kryente më veprime të tilla.

“Me datë 16 tetor 2016 ishte hera e fundit që do të bëja këtë veprim, pasi borxhet i shleva. Unë vendosa se nuk do të vidhja më kurrë dhe rrobat i hodha bashkë me pistoletën lodër”, ka thënë ai.

Po si u zbulua Geraldo Guci nga policia? Një pakujdesi e tij, u mjaftoi uniformave blu ta identifikonin atë si grabitës. Një telefon celular që kishte vjedhur në një nga pikat e karburanteve, Guci e kishte ndezur në ambientet e Parlamentit, ku ishte planizuar me shërbim. Policia gjurmoi GPS e Iphone 6 dhe ra në gjurmët e ish-ushtarit profesionist, duke e çuar atë në pranga. Aktualisht Guci po gjykohet nga drejtësia për krimet e kryera.

Shtuar më 22/03/2017, ora 16:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori