Gjithçka gati për festën e Kosovës, ngrihet skena gjigande për Rita Orën (FOTO LAJM)

Foto:Ervin Shkulaku/albeu
Gjithçka është gati në Kosovë për të festuar 10-vjetorin e parë si një shtet i pavarur dhe sovran. Në sheshet e Prishtinës janë vendosur zbukurime ndërsa në sheshin Skëndërbeu është vendosur edhe një skenë gjigandë në të dilën do të përformojë këngëtarja e njohur me origjinë nga Kosova, Rita Ora.

albeu.com sjell edhe disa fotografi nga përgatitjet e Kosovës për festimin e pavarësisë.

Më 17 shkurt të vitit 2008 në orën 15:39 minuta, Kosova shpalli pavarësinë e saj pas një luftë të tmerrshme që kishte kaluar me Serbinë.

Të parët që nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës, ishin, presidenti Fatmir Sejdiu, kryetari i kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi. Kurse Shqipëria, SHBA, Gjermania, Turqia ishin shtetet e para që e njohën.

Edhe sot pas 10 vitesh Hashim Thaçi vazhdon të jetë me shumë ndikim në Kosovë dhe tashmë do të jetë personi që do të udhëheqë dialogun përfundimtar me homologun serb Aleksandër Vuçiç.

Sot, Kosova ka arritur një sukses në politikën e jashtme pasi vazhdimisht ka pasur përkrahjen e shumicës dërrmuese të shteteve të Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve. Ndërkaq këto vitë janë arritur disa marrëveshje me Serbinë në kuadër të dialogut por tashmë mbetet të shihet nëse kjo e fundit do të njohë Kosovën si shtet.

Në rast të një njohje, Kosova do të dalë e fituar nga ky dialog por në të kundërtën humbjet do të ishin të mëdha. Ndërkaq, Serbia e mbështetur fuqishëm nga Rusia vazhdon të jetë pengesa e Kosovës në politikën e jashtme.

Por, në fushën e sportit Kosova ka arritur suksese këto 10 vite pasi është pranuar nga FIFA, UEFA, Komiteti Olimpik, kurse xhudisja shqiptare e Kosovës është kampione bote.

E megjithatë në luftën kundër korrupsionit dhe problemeve ekonomike nuk ka shënuar progresin e duhur por ngelet sfidë për 10 vjetorin e dytë.

Gjithashtu Kosova dhe Shqipëria këtë 10 vjetor ka rritur bashkëpunimin në të gjitha sferat dhe sfidë ngelet heqja e kufirit ndërmjet dy vendeve. Si rrallë herë shumë shqiptarë të Shqipërisë po preferojnë të vizitojnë edhe Kosovën vazhdimisht, duke rritur ndjeshëm numrin e vizitorëve ndërsa bregdeti i Shqipërisë mbetet i preferuari i shqiptarëve të Kosovës.

Prandaj, sot pas 10 vitesh, të gjithë shqiptarët do të festojnë pas dy ditësh sëbashku me miqtë ndërkombëtarë plot krenari 10 vjetorin duke dëshiruar që 10 vjetori pasardhës ta gjejë Kosovën sëbashku me Shqipërinë të anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe një shtet të fuqishëm nga ana ekonomike./Ervin Shkulaku/albeu.com.

Shtuar më 15/02/2018, ora 16:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori