INTERVISTA/ Benjamin Netanyahu: Historia nuk favorizon më të virtytshmit, por më të fortët

Nga Maurizio Molinari “La Repubblica

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Në selinë e qeverisë së Izraelit, jo shumë larg Knesset-it, parlamentit, selia e kryeministrisë është “salla e kontrollit” nga ku monitorohet çdo lloj krize sado minimale që mund të duket dhe moment pas momenti.

I ulur në një tavolinë të madhe prej druri, me vëllimet e Talmudit Babilonas dhe ato të Enciklopedisë Judaica prapa tij, Benjamin Netanyahu përgatit udhëtimin për në Romë, edhe pse në Izrael po ndodh vala më e madhe e protestave popullore në kujtesën e dekadave të fundit kundër reformës së tij në drejtësi.

Në intervistën për “La Repubblica”, ai shprehet i gatshëm të ndërmjetësojë negociatat Putin-Zelensky për arritjen e paqes në Ukrainë, dhe premton se Izraeli do të bëjë gjithçka që ta pengojë Iranin të pajiset më armë bërthamore.

Pse po vazhdoni me reformat, nëse kundërshtimi popullor është kaq shumë i përhapur?

Sepse tek popullata ka një kërkesë shumë të fortë për të ri-balancuar pushtetet ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore. Problemi lind nga fakti se drejtësia ka pasur hiperaktivitet dhe ka kompetenca të jashtëzakonshme, të cilat çekuilibrojnë këtë ekuilibër. Prandaj duhet të ndërhyjmë me një reformë. Gjyqësori duhet të jetë i pavarur, jo i gjithëfuqishëm. Kjo është thelbi i debatit. Protestat janë pjesë e natyrshme e kësaj përballjeje, por mendoj se do t’i kapërcejmë.

A janë në rrezik Marrëveshjet e Abrahamit, të nënshkruara në vitin 2020 me Bahreinin, Emiratet, Sudanin dhe Marokun, apo mund të zgjerohen dhe të përfshijnë gjithashtu Arabinë Saudite?

Ata do të forcohen dhe kjo për 2 arsye të ndryshme. E para është kërcënimi i Iranit, që synon të dominojë të gjithë rajonin, të shkatërrojë Izraelin dhe të rrëzojë nga pushteti liderët e shumë shteteve arabe. Prandaj këto shtete e shohin që kemi një interes të përbashkët strategjik.

Së dyti, ata shohin teknologjinë dhe inovacionin tonë dhe shfrytëzojnë mundësinë për të gjithë rajonin. Por mbi të gjitha, Marrëveshja e Abrahamit përmbysi një qasje negociuese që pati ndikim në Lindjen e Mesme për çerek shekulli. Më parë thuhej se paqja me palestinezët do të çonte në paqe në rajon.

Por kjo gjë nuk funksionoi. Tani po ndjekim rrugën e kundërt, gjithmonë me të njëjtin synim, paqen. Duke refuzuar të kalojmë nëpër Ramallah, ne kemi nënshkruar marrëveshje me Bahreinin, Emiratet, Sudanin dhe Marokun. Të tjerët do të na ndjekin.

Në Riad thonë se do t’i bashkohen me kushtin që paqja me ta të çojë në një marrëveshje përfundimtare midis Izraelit dhe palestinezëve. A është ky një objektiv i mundshëm?

Nga Riadi vijnë shumë deklarata. Por unë besoj se marrëveshja e paqes mes nesh dhe sauditëve do të çojë në një marrëveshje me palestinezët, me kushtin që ata të pranojnë të njohin ekzistencën e Izraelit.

Por fakt është se paqja me palestinezët është sot akoma më e largët. Dhuna në territoret palestineze po shtohet dhe kontaktet tuaja me Autoritetin Kombëtar Palestinez janë pothuajse jo ekzistente….

Problemi me palestinezët është se ata mbeten peng të refuzimit të Izraelit si shtet hebre, pavarësisht kufijve. E kundërshtuan para lindjes së shtetit dhe e kundërshtuan më pas.

Refuzuan ndarjen e Palestinës në vitin 1947, dhe luftuan kundër Izraelit kur Judea dhe Samaria ishin në duart e Jordanisë. Dëshira për ta shkatërruar Izraelin, nuk do të marrë fund si rezultat i zgjedhjes politike palestineze, por mund të shpërbëhet si rezultat i marrëveshjeve tona të paqes me shtetet arabe. Dhe nëse zhduket, do të kemi kushtet reale për një paqe me ta.

Ju jeni ndër të paktët udhëheqës që keni një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me presidentin rus Putin. A jeni gati të luani një rol në negociatat e tij me Ukrainën?

Unë jam gati të bëj gjithçka për t’i dhënë fund kësaj masakre. Dhe kjo nëse të dyja palët vendosin se ka ardhur koha për t’u ulur në tryezë. Mjerisht mendoj se kjo kohë nuk ka ardhur ende. Lufta do të vazhdojë para se të krijohet kjo mundësi.

Pse qëndroni midis Rusisë dhe Ukrainës?

Izraeli është i vetmi vend, pilotët e të cilit fluturojnë mbi Lartësitë Golan në një distancë shumë të vogël nga avionët rusë në Siri. Ne duhet të parandalojmë ndihmën ushtarake iraniane për Hezbollahun. Pra kemi një interes të qartë për të shmangur një konfrontim me Rusinë.

Po ashtu qindra mijëra hebrenj jetojnë ende në Rusi dhe ne nuk duam që të pengohet imigrimi i tyre në Izrael. Marrëdhëniet tona me Rusinë janë shumë komplekse, por ne bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar ukrainasit dhe për t’i dhënë fund këtij konflikti.

Ju jeni një njeri shumë i apasionuar pas historisë së lashtë. A ka ndonjë mësim nga ajo e kaluar e largët që mund të jetë i dobishëm për ne për të përballuar sfidat e shekullit XXI-të që vazhdon të na befasojë?

Historia është e paanshme dhe nuk fal. Ajo nuk favorizon të virtytshmit, ata që kanë epërsi. Ajo favorizon të fortët. Ndaj në rast se duam të mbrojmë vlerat, të drejtat, liritë tona, duhet të jemi të fortë. Mësimi nga e kaluara është se epërsia morale nuk garanton mbijetesën e qytetërimit tonë.

Perandoria Romake mbijetoi me shekuj sepse ishte më e forta. Dhe u zhduk kur u ngritën të tjerat që ishin më të forta. Asgjë nuk mund të garantojë jetëgjatësinë e kombeve. Por ajo që ne mund të bëjmë është të mbrojmë liritë tona, me forcë, për aq kohë sa të jetë e mundur. /AlbEu.com

Marrë me shkurtime

 


Shtuar 11.03.2023 11:34