“Vijnë nga jashtë për tu kuruar këtu”, Rama: Politika të reja që studentët e mjekësisë mos largohen

Duke e cilësuar si veprën më të madhe dhe më komplekse të ndërtuar në vitet e qeverisjes Rama, kryeministri theksoi sot se Spitali Qendror (një spital krejt i ri për sëmundjet e brendshme në kompleksin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”) është përmbushja e një nevoje për të kaluar në një epokë tjetër në shërbimin shëndetësor.

Sipas tij, spitali ka jo vetëm mjediset më të përshtatshme për misionin e tij, por edhe instrumentet e nivelit më të lartë bashkëkohor.

Rama: Kjo na bën krenar sepse gjithmonë kemi besuar dhe jemi përpjekur me bindjen se motivimi i mjekëve nuk është thjesht dhe vetëm çështje motivimi financiar. Është edhe çështje kushtesh, instrumentesh dhe mundësish       që mjekët tanë të mund të rriten profesionalisht në vazhdim dhe të ekzekutojnë në praktikë të gjitha dijet dhe forcën e eksperiencës së tyre.

Kryeministri Rama u ndal sërish te lajmi i cili u bë i ditur vetëm pak ditë më parë; rritja e pagave për mjekët specialisë. Duke filluar nga muaji prill, këta mjekë do të marrin 500 dollarë plus në pagën e tyre.

Rama: Paga e prillit do të jetë 500 dollarë plus dhe nuk duam të ndalemi këtu. Do të rrisim pagat e mjekëve të përgjithshëm dhe infermierëve me 7% dhe do të përgatitemi për një rritje tjetër të rëndësishme të pagës së tyre. Së shpejti do të publikojmë një program të posaçëm për mjekët, ushtarakët, punonjësit e policisë për të garantuar strehimin e mjekëve të rinj.

Kreu i qeverisë u ndal te fenomeni i ikjes, sidomos të të rinjve dhe studentëve jashtë vendit. Ai tha se ka ardhur koha të ndërmarrin politika të reja në mënyrë që studentët që mbarojnë studimet për mjekësi mos kenë mundësi të ikin në Gjermani.

Rama: Ne nuk mund të ndalojmë lëvizjen e lirë dhe nuk mund të mbajmë askënd në Shqipëri por do bëjmë një politikë tërësisht të diferencuar të kostos dhe të tarifës në raport me angazhimin dhe konkretizimin e angazhimit për të qëndruar në Shqipëri për një periudhë kohe të caktuar. Ka ardhur koha që studimet mos mjaftojnë për të marrë diplomën e mjekësisë, por të duhet edhe praktika. Deri në fund të praktikës studentët nuk do pajisen me atë letrën që kthehet në një biletë për të ikur. Është e pamundur të garantojmë për shqiptarët këtu, për qytetarët këtu dhe për ata që ju e dini më mirë se unë vijnë nga jashtë për tu kuruar këtu, një shërbim shëndetësosr të standardeve evropiane, po qe se burimet tona njerëzore të mos mjaftojnë për të arritur objektivat. Për këtë ne do ta shtrijmë diskutimin edhe me rektoratin dhe komunitetin në mënyrë që të bëjmë politikën më të mirë./Albeu.com/


Shtuar 22.03.2023 14:23