Pse Joe Biden duhet “të hapë krahun” dhe të mos rikandidojë vitin e ardhshëm

Nga Eliot A.Cohen “The Atlantic Council

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Unë i jam thellësisht mirënjohës Joe Biden. Duke mposhtur Donald Trumpin në zgjedhjet e 2020-ës, ai e shpëtoi këtë vend nga keqqeverisja e vazhdueshme e një mashtruesi të rrezikshëm dhe gënjeshtrat seriale të një njeriu të molepsur nga hakmarrja, paligjshmëria dhe egomania.

Përkundër tij, Biden e prezantoi veten para amerikanëve si një politikan i denjë, me përvojë dhe krejtësisht normal. Madje ai mund ta ketë shpëtuar vendin e tij. Amerikanët i detyrohen atij shumë respekt dhe vlerësim. Por ai nuk mund të rikandidojë për një mandat të dytë në moshën 80-vjeçare.

E them këtë nisur nga një ndjenjë personale, duke qenë në fund të të 60-ave dhe duke e ditur se të 70-at e mia nuk janë larg. Unë jam po aq i shëndetshëm sa mund të jetë çdo person i moshës së mesme të vonë (duhet ta pranoj që më tremb fjala plak, por realiteti është ai). Por e di që në këtë fazë, nuk kam energjinë që kisha një dekadë më parë. Harroj më shumë gjëra dhe nëse trupi nuk më dhemb kur zgjohem në mëngjes, një zë i vogël në kokë më pyet nëse kam vdekur dhe ende nuk e di këtë.

Unë mendoj se është një mendjemadhësi e amerikanëve pretendimi që plakja mund të fshihet (përmes botoksit), të parandalohet me (ushtrimeve fizike, ushqimit të shëndetshëm) apo të përmirësohet (mos e zgjoni gjyshin nga gjumi!). Të gjitha këto janë dokrra.

Shumë studime (që të gjitha të disponueshme në faqen e internetit të Institutit Kombëtar të Shëndetit) e dokumentojnë ndikimin e plakjes në kujtesën, mprehtësinë mendore, qëndrueshmërinë psiko-fizike; në prodhimin e kortizolit dhe hormoneve të tjera; dhe mbi shanset e shtuara të prekjes nga demenca.

Është e vërtetë, ka përjashtime dhe ne të gjithë njohim disa të tilla. Por bastet për të qenë një përjashtim nga rregulli, mua më duken si një bast kundër gjasave gjithnjë e më të mëdha për të kundërtën, dhe siç e thotë edhe fjala e urtë e “triumfit të shpresës mbi përvojën”.

Mjerisht, shumë nga klishetë rreth moshës së thyer janë tërësisht të sakta. Pleqëria vjen me më pak filtra, me më pak durim për budallenjtë (apo për kontradikta të thjeshta) dhe me shumë më tepër fjali që nisin me refrenin “Dëgjomë djalosh, këtë gjë unë e bëja para se ti të kishe lindur”.

Nëse në këtë përkufizim futet Biden, aq më mirë. Sepse sidomos në biznesin e politikës, të ngopur me ego dhe adrenalinë, shanset për t’u shndërruar në një babagjysh të ëmbël më duken minimale. Njeriu bëhet rrallë senator, dhe aq më pak president, pa një ego të madhe jo të shëndetshme.

Prandaj Dianne Feinstein dhe Chuck Grassley e kanë kaq të vështirë largimin nga skena politike. Por edhe nëse dikush e ka nisur dikur me një nivel të caktuar përulësie, është e vështirë që ta ruajë atë. Prandaj ata që largohen vullnetarisht nga postet e larta (si për shembull gjyqtari i Gjykatës së Lartë David Souter), meritojnë respektin tonë.

Po ashtu fiksimi pas posteve zyrtare në pleqëri është diçka egoiste. Bota akademike ku jam angazhuar prej dekadash po mbushet me profesorë shumë të moshuar që refuzojnë t’i hapin rrugën të rinjve që vijnë. Ata e gënjejnë veten duke menduar se janë po aq të mirë sa kanë qenë dikur, edhe pse japin leksione bazuar në shënime 30-vjeçare ose nuk japin më leksione të përditësuara me zhvillimet e vrullshme të viteve të fundit.

Bota akademike ka sigurisht egot e saj të përmasave senatoriale apo presidenciale, dhe rezultati është një nivel i krahasueshëm i vetëkënaqësinë narcisiste që pozicionohet në qendër të vëmendjes. Në heshtje drejtuesit e universiteteve shqetësohen për këtë, prandaj profesorët e moshës sime marrin oferta tërheqëse për përfitime të ndryshme pas daljes në pension.

Dhe përpara se disa nga kolegët e mi pedagogë të moshuar të fillojnë të më dërgojnë artikujt e tyre të fundit në “Science” do ta them sërish: Po, ka edhe përjashtime. Por atëherë, a nuk e gënjejmë veten të gjithë se sa të jashtëzakonshëm jemi?

Presidenti Biden është sot 80 vjeç. Nëse rizgjidhet, do të jetë 86 vjeç në kohën e mbarimit të mandatit të tij të dytë. Dhe do të ketë kaluar deri atëherë gati gjysmë shekulli si senator, zëvendëspresident ose president, që të gjitha poste të llogaritura për të fryrë imazhin që ka dikush për veten.

Si president ai e rrethon veten me ish ndihmës dhe teknokratë të përgjegjshëm, por asnjë koleg që mund ta shohë drejt në sy dhe t’i thotë me peshën që i buron nga ekspertiza dhe vetëbesimi: “Zoti President, nuk jam aspak dakord!”. Ndoshta kjo është ajo që ai ka bërë gjithmonë, por është veçanërisht e habitshme tani.

Presidenti punon shumë. Po kështu bëri edhe Ronald Reagan, që asokohe ishte në pension

në moshën 80-vjeçare. Dhe për fat të keq, sëmundja e Alzheimerit nuk e pyeti se kush ishte kur e mbërtheu. E kush nuk ka njohur një njeri krejtësisht të shëndetshëm në të 80-at, të 70-at, madje edhe të 60-at, shëndeti i të cilit nuk u rrënua papritur?

Ose më keq akoma, që nisi tatëpjetën më shumë shpejtësi? Mjerisht, zëvendës/presidentja Kamala Harris, ka një CV të mirë por jo aftësitë politike dhe peshën për të qenë një kandidate presidenciale bindëse.

Për më tepër, nëse historia mund të cilësohet një lloj udhërrëfyesi, një president i sëmurë dhe në rënie nuk thotë thjesht: “Ke të drejtë doktor, është koha që unë t’ia dorëzoj frenat e pushtetit dikujt tjetër”. Përkundrazi, siç kanë bërë më parë Woodrow Wilson, Franklin D. Roosevelt dhe të tjerë, ata e vonojnë tërheqjen dhe e mohojnë përkeqësimin e gjendjes së tyre shëndetësore, të ndihmuar dhe nxitur nga familjet dhe këshilltarët e afërt që refuzojnë të pranojnë realitetin.

Për më tepër Biden nuk është alternativa e vetme ndaj Trump. Harris mund të mos jetë personi i duhur, por ç’mund të themi për ndonjë nga guvernatorët e talentuar demokratë?

Apo për një ish-kryetar bashkie, si Mitch Landrieu i New Orleans?

Fatkeqësisht, ne marrim si kandidatë alternativë tipa të çuditshëm si Robert F. Kennedy Jr., sepse demokratët e sotëm, ashtu si kundërshtarët e tyre republikanë dikur, po vihet në rresht pas udhëheqësit aktual edhe pse nuk kanë ndonjë simpati të madhe për të.

Nuk ka asgjë të tmerrshme në pranimin e faktit të plakjes. Përkundrazi, ka diçka patetike tek ata që nuk munden ta bëjnë këtë. Ciceroni na ka lënë trashëgimi këshilla të shkëlqyera në librin e tij të vogël “Si të plakemi”. “Që ky akt i fundit i jetës do të ndodhë, kjo është po aq e sigurt sa frutat në pemë që do të thahen dhe bien përtokë një ditë. Por një njeri i mençur e di këtë dhe e pranon me përulje dhe mirënjohje për jetën që ka jetuar.”

“Lufta kundër natyrës është po aq e kotë sa betejat e gjigantëve kundër Perëndive”- shkruan Ciceroni flet për gëzimet e moshës së tretë, si soditja e kopshtit të dikujt (metaforik dhe real), për shoqërinë e miqve të vjetër e të rinj, për lënien pas të “kaq shumë betejave me epshin, ambicien, sherret dhe pasionet e tjera”.

Dhe ai vëren se ka diçka sa dëshpëruese po aq edhe të papërshtatshme në përpjekjen për të qëndruar në qendër të skenës deri në mbërritjen e fundit të hidhur, vdekjes. “Një aktor nuk ka nevojë që të qëndrojë në skenë gjatë gjithë shfaqjes. Mjafton që të paraqitet në aktet përkatëse”- thekson Ciceroni.

Joe Biden kishte rolin kryesor në një akt vendimtar në historinë madhështore të Amerikës, dhe ai e luajti atë me hijeshi dhe nder. Është koha që ai të përkulet para publikut, të pranojë falënderimet e një kombi mirënjohës dhe të largohet nga skena politike i shoqëruar nga duartrokitjet e merituara.

Shënim:Eliot Cohen, profesor në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Xhons Hopkins.

/albeu.com


Shtuar 10.07.2023 10:11

Tags: