Në faqen e studiuesit Robert Elsie, ku publikohen vazhdimisht
foto të vjetra nga Shqipëria, vjen edhe ky koleksion kaq interesant nga
varrimi i një burri në
Theth. Ato janë bërë nga
Raimer Schulz.
"Dr.
Raimer Schulz (vd. 1941) ishte antropolog gjerman.Në vijim të punës së antropologut amerikan Karlltën Kun (Carleton Coon, 1904-1981) në vitet 1929-1930, Shulci kreu hulumtime shkencore të antropologjisë fizike në malet e Shqipërisë së Veriut. Në vitin 1937, ai mori pjesë në një ekspeditë gjermano-italiane në
Theth të Dukagjinit në emër të një ashtuquajtur Enti Rajonal i Tyringisë për Çështje Racore (Thuringisches Landesamt fur Rassewesen) në Vajmar.
Gjatë një qëndrimi të gjatë në
Theth, mati dimensione të trupave të banorëve të luginës së Shalës në kuadrin e degës shkencore të antropometrisë, e cila në atë kohë ishte mjaft e ndikuar nga ideologjia fashiste dhe më vonë ra pak a shumë në harresë.
Gjatë hulumtimeve në Dukagjin, Shulci bëri edhe mbi dyqind fotografi të nxënësve të shkollës dhe
foto të tjera. Koleksioni i tij u dhurua një arkivi në Hale (Halle) por, siç duket, u zhduk gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ato që kanë mbetur nga vepra e Rajmer Shulcit janë disa fotografi të pakta të një
varrimi tradicional në
Theth që ai i botoi në revistën e Lajpcigut Atlantis (vëll. 10, 1938, f. 257-259) dhe që paraqiten këtu.
Raimer Schulz kishte ndërmend të plotësonte punën e tij antropologjike me një udhëtim të dytë në
Theth dhe kishte filluar të mësonte shqip, por ndërkohë erdhi Lufta e Dytë Botërore. Vdiq ushtar në frontin rus më 14 korrik 1941", shkruan Elsie /albeu.com/
Shtuar më 24/12/2015,
ora 15:34