Kokainën e kishin fshehur nën timonin e makinës, arrestohen dy të rinj shqiptarë në Itali

Aktiviteti për të luftuar shitjen e lëndëve narkotike, në veçanti të kokainës, i zhvilluar nga efektivët e Policisë së Italisë në shërbim në Skuadrën Mobile Pesaro, çoi pasditen e djeshme, 22 korrik, në arrestimin e dy shtetasve shqiptarë, të cilët u kapën me kokainë, raportojnë mediat italiane.

Nga hetimet e kryera, rezultoi se disa të rinj shqiptarë, veçanërisht në periudhën e verës, hynin në territorin e Italisë duke shfrytëzuar periudhën turistike, për të shitur lëndën narkotike.

Agjentët policorë, pasi kanë vërejtur një makinë të dyshimtë që lëvizte në rrugët e qytetit, kanë  vendosur të kontrollojnë dy personat, që ishin të dy shtetas shqiptarë.

Nga kontrolli në mjet, u gjet  një qese me 13 doza kokainë, prej 1 gram dhe 2.5 gram copa, me peshë totale rreth 20 gram, e fshehur nën timon. Gjithashtu janë sekuestruar telefonat celularë në përdorim të të dyve si dhe shuma totale prej 175 euro.

Për sa më sipër, dy shqiptarët u arrestuan dhe gjykata vendosi për ta një vit burg dhe dy mijë euro gjobë./albeu.com