Flet mjeku që operoi me sukses 18 vjeçaren e prekur nga COVID 19: Ishte e vështirë por ishim përgatitur

Ditën e djeshme, është mundur të bëhet një ndërhyrje ndaj një 18 vjeçareje të prekur nga koronavirusi në vendin tonë.

“Realizohet me sukses ndërhyrja kirurgjikale urgjente te një vajzë e re e konfirmuar me COVID-19, në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”, nga ekipi i kirurgjisë drejtuar nga dr. Ylber Vata, së bashku me dr. Dorian Bozaxhi, dr. Arjan Vyshka, dr. Luna Hasipi, kryeinfermiere Manushaqe Hoxha dhe instrumentare e ndërhyrjes Valbona Bulku”.

Ky ishte postimi i një dite më parë i ministres së Shëndetësisë, Manastirliu, e cila vlerësoi punën e mjekëve në operacionin e parë te një pacient, i cili ishte i prekur edhe me koronavirus.

Doktori Ylber Vata, i cili drejtoi ekipin që kreu këtë operacion te 18-vjeçarja, foli në A2 për këtë rast, duke dhënë lajmin se pacientja është në gjendje të mirë shëndetësore.

“Problemi vështirësohej pasi e sëmura ishte me Covid-19, por ne kishim bërë përgatitjet me kohë, kishim mjetet e duhura. Brigada që do të priste të sëmurin e parë dhe gjithçka ishte në kohën e duhur dhe është zgjidhur në kohën e duhur. Ne dëshirojmë të mos ketë shumë pacientë, të mos ketë asnjë, në kushtet e një pandemie. Por nëse do të ketë raste të tilla, do të kryhet ndërhyrja këtu. Ekipi i kirurgëve është i gatshëm për t’i pritur në kushtet më të mira të mundshme, që nuk do të ketë asnjë ndryshim nga e përditshmja.

Gjendja shëndetësore është shumë e mirë e pacientes. Pa temperaturë, ka humor të mirë dhe gjithçka është në rregull”, u shpreh Vata.

Në fund, një apel për të gjithë qytetarët: “Distancimi social të jetë prioritet absolut. Koronavirusi mund të zhvillohet brenda nesh dhe ne nuk mund t’ia japim këtë shans”.


Shtuar 30.03.2020 09:23