Flet për herë të parë Mirela Topulli, gruaja që goditi gazetarin: Ju tregoj si është e vërteta

Vetëm disa ditë më parë gazetari investigativ i “Stop” Genci Angjellari deklaroi edhe me pamje filmike se u dhuna nga Mirela Topulli, administratore e firmës “Euroteam”.

Duke iu referuar edhe pamjeve filmike të publikuara nga ky emision gazetari akuzoi Topullin se ajo e dhunoi duke e rrahur pasi ky i fundit po investigonte se ku po shkonin mbetjet e rrezikshme spitalore të kompanisë që drejtonte kjo zonjë. Sipas investigimit të “Stop” kompania “Euroteam” rezulton se konsumon rregullisht krim mjedisor.

Por si qëndron e vërteta sipas Topullit? Në një intervistë për “foldrejt.info” Topulli ka deklaruar se gjithçka e thënë deri më tani është puç dhe e qëllimshme.

Topulli shprehet është provokuar nga gazetari. Madje sipas saj Genci Angjellari e ka dhunuar duke e goditur në mjekër me mikrofon. “Mua më kanë lajmëruar nga kompania që kishte ardhur një media e po filmonte dhe unë mora makinën për të shkuar atje dhe ata na kanë filmuar dhe nga pas, madje na kanë bllokuar rrugën. Më pas m’i ka rënë xhamit të makinës dhe ka qenë duke e thyer. I jam lutur që të më largohet nga makina dhe në atë moment ai më ka qëlluar me mikrofon turinjve.” -shprehet ajo duke treguar se ka përpunuar në spital. Topulli thekson më tej se nuk janë transmetuar të gjitha pamjet në emision. “ Nga emisioni nuk është transmetuar e gjitha pasi është shkëputur pjesa ku gazetari më ka goditur mua me mikrofon në mjekër dhe në atë moment kam dalë e makina e shokuar,- tha Topulli.
Intervista e plotë

Znj. Topulli , dy ditë më parë në një emision investigativ janë transmetuar pamjet që ju keni goditur një gazetar. A e keni parë ju videon ?

Po e pashë live, isha madje dhe me një inspektor të zonës dhe u shokua dhe ai nga ajo që pamë.

A mund të na tregosh se si qëndron e vërteta sipas jush?

Më datë 4 korrik në mëngjes ka rënë zjarr në magazinën që unë punoj dhe që në 4 të mëngjesit dhe mediat kanë qenë aty. Kur unë kam shkuar nga ora 7 në zyrë mediat kanë qenë duke filmuar ambientet tona nga jashtë, pastaj ne nuk i kemi lejuar që të hyjnë brenda dhe ata gjithçka kanë filmuar nga jashtë e kanë publikuar. Tani unë nuk e dija që këta vazhdonin të na ndjekin.

Përsa i përket përplasjes me gazetarin, përse u agravua situata?

Mua më kanë lajmëruar nga kompania që kishte ardhur një media e po filmonte dhe unë mora makinën për të shkuar atje dhe ata na kanë filmuar dhe nga pas, madje na kanë bllokuar rrugën. Më pas m’i ka rënë xhamit të makinës dhe ka qenë duke e thyer. I jam lutur që të më largohet nga makina dhe në atë moment ai më ka qëlluar me mikrofon turinjve.

Nga emisioni nuk është transmetuar e gjitha pasi është shkëputur pjesa ku gazetari më ka goditur mua me mikrofon në mjekër dhe në atë moment kam dalë e makina e shokuar. Pasi ndodhi incidenti unë kam shkuar në spitalin ushtarak dhe kam ndenjur atje disa orë pasi kisha kaluar një traumë në kokë, nuk kam qenë mirë. Unë kaq kam diskutuar me gazetarin po më pas kam dalë nga makina e shokuar i kam rënë nja dy shpulla.

Ka qenë ai filmimi që dhe ju keni parë dhe ata të tre që kanë qenë aty kanë provokuar dhe punonjësin që isha unë me të duke i thënë: “Hajde, hajde”.Pastaj nga ai moment që ka ndodhur dhe incidenti ne jemi larguar dhe më ka marrë një nga drejtuesit e emisonit në telefon dhe më tha që me atë që i ke bërë ti gazetarit e ke shumë të vështirë që të shpëtosh. Po kështu më tha që nuk shpëton njeri me atë që unë kam bërë.

A mund të na shpjegoni si qëndron e vërteta derdhjes së mbetjeve në lumin e Erzenit?

Pas djegjes totale të magazinës ne kemi postuar materialet nga aty tek ambientet e shoqërisë me të cilën ne bashkëpunojmë. Nuk janë hedhur në lumin Erzen, janë ambientet e shoqërisë që ne bashkëpunojmë po ka afër lumin dhe ajo pamja që kanë nxjerrë ata që nuk ka mbetje në lumë dhe ky ka qenë gabimi i shoferit që i ka shkarkuar aty pranë por jo në lumë. Asgjë nuk është derdhur në lumë por përsa i përket kësaj këtë përgjegjësi e mbaj unë. Kjo është totalisht e qëllimshme.

Përse mendoni se është e qëllimshme?

Kjo është totalisht e qëllimshme, për shkak të konkurrencës por unë jam e pastër se kam pasur kontrolle pa fund. Por theksoj që konkurrentët e m’i dërgojnë shkresa kundër meje pa fund për të më dëmtuar. Ky eshte puç. Është e turpshme ajo që kanë bërë ,kompania ku unë punoj është e pastër dhe paguan të gjitha detyrimet që ka ndaj shtetit dhe ne nuk jemi një shoqëri fantazim.

Sipas mediave ju jeni në kërkim nga policia, a është e vërtetë kjo?

Ky lajm është i rremë pasi unë kam qenë në komisariat në momentin që doli lajmi se unë jam në kërkim. Unë jam në mes të Tiranë. Pasi kam dalë nga spitali ushtarak të nesërmen jam thirrur në komisariatin numër 1, pasi kishte bërë kallzim gazetari që unë e kam goditur me sende të forta. Kallëzim ky i rremë pasi unë nuk kam pasur gjë në dorë. Pasi kam bërë deklarimet e mia dhe ata më kanë parë që unë kam qenë goditur kam shkuar tek mjekësia ligjore kam bërë veprimet përkatëse dhe çështja tashmë ka shkuar në prokurori.

Pak më lart deklaruar që jeni dhunuar nga gazetari, a keni bërë kallzim për këtë?

Patjetër që po, sot unë kam depozituar një kallëzim në prokurori për gazetarin Genci Angjellari. /foldrejt.info/
Shtuar më 12/07/2017, ora 23:55

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori