Boksieri serb që u rrah nga Bernardin Jakaj iu përgjigjet shqiptarëve me një postim provokues

Boksieri serb, Marko Nikolic është duke  marrë veten pas humbjes që e pësoi nga boksieri shqiptar, Bernardin Jakaj.

Boksieri serb  postoi të nesërmen një fotografi të gjendjes së tij, ku shihet me sy të ënjtur.

Pas publikimit të fotos në rrjetet sociale nisën talljet ndaj tij.

Ai ka  bërë një postim në “Instastory”, ku ka treguar se ka marrë shumë mesazhe fyese nga shqiptarët.

Ndërkohë, boksieri nacionalist zbuloi se do ta bëjë një tatuazh të një çetniku serb, duke vazhduar t’i provokojë kështu shqiptarët, ndërsa më parë e kishte postuar një fotografi me një flamur me hartë të Kosovës e me ngjyra të flamurit serb.

“Faleminderit vëllezër shqiptarë. Më lejoni t’ju informoj se këtë javë po e bëj një tatuazh të heroit serb Momcilo Djujic dhe ju vazhdoni të më dërgoni deri në 60 mesazhe në ditë duke i fyer nënën, gruan, fëmijët, nuk më shqetëson…”, ka shkruar Nikolic, duke iu përgjigjur një postimi të “albaner_355”.

Kurse, boksieri shqiptar Bernardin Jakaj, mbrëmë e kujtoi me ëndje fitoren e veçantë ndaj boksierit serb.

“A ka ma mirë se me rrah serbin për 24 mars? Ka qenë motiv shtesë të përballesha me një serb, e dimë si ka qenë situata, i kemi treguar se kush jemi duke e kthyer në Beograd si ka ardhur me sy të ënjtur. Nuk desha me u ngut dhe me bo më interesant për shikuesit. Ky është veç fillimi…”, ka thënë Jakaj, i cili e vazhdoi serinë perfekte në boksin profesionist. /Gazeta Express/


Shtuar 27.03.2023 13:01