Riaktivizohet zjarri në pyllin e Peshtanit

Rindizet zjarri ne pyllin me pisha e dushqe në Peshtan. Burimet pohojnë se flakët po përhapen me shpejtësi për shkak të terrenit “grykë” dhe ka erëra të forta që ndihmojnë zjarrin. Nga zjarri i djeshëm kishte mbetur një vatër zjarri, e cila është riaktivizuar edhe sot duke shkaktuar vatra të tjera zjarri.

Drejtori i zjarrfikësve të bashkisë Fier, Zija Hyka ka pohuar se situata është shumë e vështirë.

Tre grupe zjarrfikëse janë në terren ndërkohë që kërkohen përforcime nga repartet e zjarrfikësve të Patosit. Zjarri po përhapet me shpejtësi në një sipërfaqe të gjerë, shumë shpejt do të dalë në rrugën e vjetër rurale Fier-Cakran në vendin e quajtur “Qafa e Shkozës”.Fillimisht priten ndihma nga kolegët e Patosit dhe nëqoftëse situata vazhdon e njëjtë do kërkohet ndihmë nga helikopteri si një ditë më parë“, tha shefi i zjarrfikësve të bashkisë Fier, Zija Hyka.

Terreni është shumë i vështirë dhe automjetet nuk shkojnë deri afër vatrave të zjarrit. Punonjësit po luftojnë me flakët me pompa uji në shpinë dhe mjete rrethanore, kazma e lopata për të shuar flakët.

 


Shtuar 22.07.2023 18:57