Primaret për Tiranën, tërhiqet Alimehmeti: Anëtarësia foli pro Belind Këlliçit

Ditën e djeshme janë zhvilluar Primaret, ndërkohë që rezultatet për Tiranën nxorën në balotazh kandidatët Belind Këlliçi dhe Ilir Alimehmeti.

Në një konferencë të përbashkët të mbajtur mbrëmjen e sotme, Alimehmeti u shpreh se mbështet kandidaturën e Këlliçit, si personi i cili mori më shumë vota nga anëtarët.

“Jemi këtu më pak se 24 orë nga Primaret ku anëtarësia shprehu vullnetin me votë për herë të parë, në respekt të votës e duke falënderuar çdo votues, për një proces që shkoi pa asnjë vërejtje, u numërua me transparencë të plotë.

Që në fillim kam qenë i bindur që rolin kryesor duhet ta kishte anëtarësia që dje foli pro Këlliçit. Ju kam dalë zot që sido të shkonte do t’i isha në krah. Kjo është shenja e parë, të njohësh votën e ta respektosh. Do vijojmë punët përkundrejt fitores në 14 maj”, u shpreh ai.

Këlliçi ka theksuar se pas 14 majit, ai do të jetë kryetar bashkie (nëse fiton në zgjedhje kundër Erion Veliajt), ndërsa Alimehmeti do të mbajë rolin e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës.

“Sot shqiptaret janë të befasuar nga ky standard i vendosur në politikën shqiptare. Fokusin kryesor e kam pasur te baza dhe anëtarësia e Partisë Demokratikë. Kjo ka qenë një fushatë civile e qytetare, jemi sërish me njëri-tjetrin. AJ mi bindur se ky është një ogur i mirë në politikën shqiptare. Jam krenar që kam qenë pjesë e këtij procesi dhe për ta çuar një standard më tutje ne sot publikisht do adaptojmë një formë amerikane të garës, formën presidenciale. Ashtu si në Amerikë kam kënaqësinë më të madhe sot që kur I kam hyrë këtij rrugëtimi kam qenë I bindur se do ta mundja Veliajn në garën për Tiranën, me Alimehmetin si krahun tim të djathtë dhe nënkryetar të bashkisë së Tiranës që nga 14 maji ne do sjellim një model krejtësisht ndryshe”, tha Këlliçi./albeu.com