Numri i degëve të bankave bie përsëri, prek nivelin më të ulët në 16 vjet

Numri i degëve të sektorit bankar ra më tej në gjysmën e parë të këtij viti dhe preku shifrën më të ulët të 16 viteve të fundit.

Të dhënat e raportuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave tregojnë se numri i degëve zbriti në 383, nga 396 që ishin në fund të vitit 2022 dhe 418 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në pjesën më të madhe, rënia e numrit të degëve gjatë vitit të kaluar dhe pjesës së parë të këtij viti i detyrohet bashkimit mes bankave OTP Albania dhe Alpha Bank, që solli si rezultat mbylljen e një pjese të degëve të tyre.

Në mesin e vitit të kaluar, OTP dhe Alpha kishin 75 degë të marra së bashku, ndërsa në mesin e këtij viti OTP kishte vetëm 49 degë. Nga 34 degë të Alpha Bank, 26 prej tyre u mbyllën.

Në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, edhe Credins Bank vendosi të mbyllte shtatë degë, ndërsa Tirana Bank mbylli dy të tilla. Ndërkohë, bankat e tjera nuk kanë pasur ndryshime në numrin e degëve aktive.

Numri i degëve dhe agjencive bankare arriti nivelin më të lartë në vitin 2012, me 556 degë dhe agjenci. Nga ai moment, numri i njësive bankare të shërbimit nisi të pakësohet.

Efektet e krizës dhe nevoja për një kontroll më rigoroz të shpenzimeve bëri që shumica e bankave të frenonin zgjerimin e rrjetit dhe të mbyllnin një pjesë të degëve ekzistuese.

Procesi u theksua më shumë nga cikli i konsolidimit të sektorit bankar dhe ulja e numrit të bankave tregtare. Numri i bankave tregtare ka rënë nga 16 në 11 dhe si rezultat i bashkimeve mes bankave ekzistuese, një pjesë e mirë e degëve të bankave të përthithura u mbyllën.

Një faktor tjetër me ndikim të rëndësishëm është dixhitalizimi dhe automatizimi i ofrimit të shërbimeve dhe produkteve bankare. Sot pjesa më e madhe e shërbimeve bankare mund të ofrohen nëpërmjet kanaleve dixhitale dhe kjo e ka ulur nevojën për praninë fizike të degëve dhe të stafit.

Megjithatë, është e pritshme që numri i degëve të bankave të rritet sërish deri në fundin e këtij viti. Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA) ka në plan hapjen e 12 degëve të reja, nga të cilat shtatë në Tiranë dhe pesë në qytete të tjera të vendit.

Shqipëria ngelet një ndër vendet me numrin më të ulët të degëve bankare në raport me popullsinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Europë.

Sipas të dhënave krahasuese të Bankës Botërore, për vitin 2021, Shqipëria kishte 18.6 degë dhe agjenci bankare për 100 mijë banorë. Shqipërisë ishte është vendi i dytë me depërtimin më të ulët të njësive bankare në popullatë, pas Kosovës, që e kishte këtë tregues në nivelin 11.6 degë për 100 mijë banorë.

Në rajon, nivelin më të lartë të këtij treguesi e kishte Bosnje-Hercegovina me 29.8 degë për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Serbia me 26.4 degë për 100 mijë banorë, Mali i Zi, me 25.8 degë për 100 mijë banorë dhe Maqedonia e Veriut me 22.4 degë për 100 mijë banorë.

Me përjashtim të Kosovës dhe Shqipërisë, të gjitha vendet e tjera të rajonit kanë një numër degësh në raport me popullsinë më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian, që për vitin 2021 ishte në nivelin 21.1 degë për 100 mijë banorë.

Në rastin e BE-së, depërtimi i degëve bankare në dekadën e fundit ka pësuar një rënie të ndjeshme.

Në vitin 2010, ky tregues kishte qenë në nivelin 35.4. Kjo lidhet pjesërisht me krizën financiare, por arsyeja kryesore është tendenca në rritje e dixhitalizimit të shërbimeve, që e ka ulur gradualisht nevojën për njësi bankare fizike.

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, zëvendësimi i shërbimeve bankare në rrjet me ato dixhitale është më i ngadaltë, edhe për shkak të stadit të zhvillimit ekonomik të rajonit.

Për këtë arsye, një prani më e gjerë e degëve ngelet e domosdoshme për të mundësuar zgjerimin e ofrimit të shërbimeve bankare në ekonomi./monitor


Shtuar 9.08.2023 07:04