Fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë: Muzeu që tregon për një fëmijëri të lënë përgjysmë (FOTO LAJM)

E rrethuar nga ndërtesa të larta të arkitekturës komuniste, në bodrumin e një biblioteke në Prishtinë, është ekspozita që tregon për fëmijët e vrarë ose zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Libra, fletore, lodra, rroba dhe fotografi të fëmijëve të cilëve lufta u la fëmijërinë në gjysmë, janë paraqitur me kujdes për vizitorët.

Ekspozita quhet “Na Ishte Njëherë Që Kurrë Mos Qoftë” dhe është hapur nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDH) në bibliotekën “Hivzi Sulejmani”, në lagjen “Dardania” të Prishtinës.

Krijimi i këtij memoriali nga FDH është në pajtim me prindërit dhe familjarët që kanë sjellë gjësendet e mbetura.

Sipas Dea Dedi, menaxhere e Qendrës së Dokumentimit në Kosovë, ekspozita është dashur të hapet edhe në Serbi në qershor të këtij viti, mirëpo për shkak të pandemisë planet kanë ndryshuar.

Sipas saj, planet e Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë janë që kjo ekspozitë të shndërrohet në muze të përhershëm.

“Ne jemi duke lobuar në mënyrë që institucionet e shtetit ta kthejnë ekspozitën në një muze të përhershëm. Kjo nuk varet prej nesh, por ne po mundohemi t’ia dorëzojmë shtetit dhe shteti ta marrë në mbrojtje,” i tha ajo Radios Evropa e Lirë.

Ekspozita është hapur në mesin e vitit 2019 për të shënuar 20-vjetorin e përfundim të luftës në Kosovë që la të vrarë 13,535 persona, shumica dërmuese prej tyre ishin shqiptarë. Mbi 1,600 persona ende mbesin të zhdukur.

“Ne e kemi parë se edhe pas 20 vjetëve të mbarimit të luftës, kjo kategori – vrasja e fëmijëve – që është shumë e ndjeshme, është përkujtuar pak edhe prej institucioneve edhe nga nismat tjera vetjake. Siç dihet numri i fëmijëve të vrarë përbën rreth 10 për qind të viktimave të përgjithshme gjatë luftës”, shtoi Dedi.
Shtuar më 22/11/2020, ora 15:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori