FACT CHECK/ Rama i shet Ballshin Putinit: Fake News godet sërish Shqipërinë? (FOTO LAJM)

Shqiptarët u zgjuan sot me kryelajmin se një kompani nën hetim në SHBA, e cila kishte gjetur terren në Rusi kishte blerë rafinerinë e naftës në Ballsh.

Sipas lajmit në fjalë, kompania me lidhje te forta në Rusi ishte mbështetur nga qeveria Rama duke i ofruar kështu Putinit një thesar nga nëntoka shqiptare.

Lajmi i publikuar nga një portal i quajtuar "Pianeta Italia News", u hodh fillimisht gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme në mediat shqiptare duke "shpërthyer" si lajm bombë gjatë mëngjesit të sotëm.

Është një lajm bombastik dhe çdo redaksi do të nxitonte t'a hidhte e para, por në kësilloj rastesh, parimet e gazetarisë na këshillojnë disa verifikime paraprake, të cilat ne të Albeu.com i bëmë mbi portalin në fjalë, pra PianetaItaliaNews (www.pianetaitalianeWs.it).

Nga verifikimet e bëra nga Albeu.com, rezulton se lajmi i shumëpërfolur në këtë media është postuar me datën 18 korrik 2017.

"PianetaItaliaNews" është hapur për herë të parë në mesditën e datës 21 gusht 2016 nga kompania "Italia Comunicazione srl". (Për detajet, ndiq galerinë sipër)

Blerësit e hapësirës në server, pra kompania "Italia Comunicazione srl" ka bërë një abonim një vjeçar duke mos parashikuar riabonimin automatik, një veprim aspak i zakontë ky për media serioze online, të cilat janë të interesuara që të ruajnë përmbajtjen e tyre edhe nëse harrojnë të ribëjnë abonimin.

Administratorët e portalit kanë blerë një tjetër abonim njëvjeçar serveri në fillim të shtatorit 2017 në kompaninë e shërbimeve ARUBA-REG (www.aruba.it), i cili skadon në të njëjtën periudhë të vitit 2018.

Aruba.it është një kompani që ofron shërbimin e serverit për website të ndryshme kundrejt një pagese të caktuar vjetore apo mujore.

PienatItaliaNews.it është deklaruar si biznes që ushtron aktivitet në këtë adresë: Address: Via Paolo Frisi, 5; ROMA; 00197; RM; IT.

Nga verifikimet e bëra rezulton se rruga e deklaruar në fakt është një zonë kryesisht rezidenciale në periferi të kryeqytetit Italian, Romë.


Të dhënat e deklaruara të orientojnë drejt godine tre katëshe që përdoret si teatër dhe qendre kulturore, pranë së cilës gjendet edhe një restroranti me ushqime deti.

Gjithashtu, nga verifikimet e bëra prej nesh në regjistrin e kompanive në Itali, nuk ekziston asnjë kompani me emrin "Italia Comunicazione srl", e cila është deklaruar si kompania mëmë e PianetaItaliaNews.it.

Paola Di Domenico, personi teknik i kontaktit që është deklaruar nga ata që kanë bërë regjistrimin në server për portalin, në fakt është një zonjë 69 vjeçare italiane që jeton dhe punon në Peruxhia si lektore në universitetin e këtij qyteti dhe nuk ka asnjë lidhje me IT apo njohuritë teknike mbi mirëmbajtjen e web-it.

Media në fjalë ka gjithsej 52 lajme në aktivitetin e saj gati dy vjeçar, i cili është një numër jashtëzakonisht i vogël për një portal lajmesh.

Sa i përket përmbajtjes, portali rezulton të ketë shkruar edhe mbi skandalin e shumë përfolur të zhdukjes së 1 300 konteinerëve të pretenduar me lëndë toksike në Shqipëri, i cili më pas rezultoi se ishte një fake news.

Përmbatja e PianetaItaliaNews rifreskohet jashtëzakonisht rrallë, ndërsa njohës të mirë të gjuhës italiane i deklaruan Albeu.com se edhe gjuha e përdorur është një italishte e ngurtë mekanike.

Historia i ngjan kryekëput fenomenit të "fake news" që u përdor gjatë fushatës së egër mediatike për presidencialet amerikane të Donald Trump me Hillary Clinton.

Ky "fact checking" i bërë në pak orë nga Albeu.com duke dashur t'i qendrojmë besnik të vërtetës dhe raportimit me korrektësi ndaj lexuesit, të bën të ngresh disa hije dyshimi nëse vërtetë ka italianë apo persona në Itali që shkruajnë për PianetaItaliaNews.it. /albeu.com/






Shtuar më 02/06/2018, ora 13:10

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori