Edmond Koseni, historia e pabesueshme e kryepolicit që e quanin "Van Dami" i Elbasanit (FOTO LAJM)

Pëlqej
Rreth kësaj teme:

Për herë të parë dhe të vetme, ish kryepolici i Elbasanit, Edmond Koseni, foli për revistën Klan, më 30 korrik 2000.

Ruajtja e Peqinit, ringjallja e Tepelenës, zbarkimi në Elbasan. Komisari tregon se ka qenë e thjeshtë të ndalojë Nehat Kullën dhe se është ndjerë mirë kur ka rrahur Tan Kateshin. Dritare.net sjell të plotë rrëfimin për atë natë, në Tiranë, kur 60 policë rrethuan shtëpinë ku fshihej i forti i Elbasanit, që sipas Kosenit, përdhunonte nuset në ditën e dasmës, i vinte tritol djemve në varr, pasi i vriste.

Ja si ka qenë Shqipëria e ’97. Më mirë se në këtë rrëfim të Kosenit nuk do ta gjeni kund tjetër.

Nuk është i majtë, megjithëse pohon me zë të ulët se në Peqin edhe këlyshët e maceve lindin komunistë.

Në 4 qershorin e shkuar mbushi 32 vjeç, ndonëse i pëlqen të thotë 33 . Është i gjatë dhe pse nuk duket. Simpatik, me fytyrë të qeshur dhe sy të dashur, fjali që askush nuk duhet ta ketë artikuluar të plotë para tij, i frikësuar nga fama prej polici të frikshëm.

Ka lindur, është rritur dhe nuk pranon të ikë nga shtëpia e vogël e Peqinit, së cilës së fundi i ka shtuar dy dhoma dhe jeton bashkë me familjen. Nuk do të flitet askund, asnjë fjalë për familjen dhe nuk është çudi të nxehet aq shumë, sa pasi të lexojë këtë shkrim, të më marrë në telefon dhe të përdorë të njëjtin ton, siç thuhet në një gazetë.

Ndonëse Koseni nuk pranon kurrsesi të ketë telefonuar në gazetë, e aq më shumë të ketë kërcënuar. “Ndoshta ka qenë Agron Llakaj që më ka imituar zërin. Ai çfarë nuk bën”, thotë peqinasi, që u bë i famshëm, kur prangosi Nehat Kullën.

KOSENI JETA TJETËR

“Nëna ime ka qenë rrobaqepëse. Babai punëtor. Jemi katër fëmijë. Jam fëmija i parë, por nuk më kanë përkëdhelur ndonjëherë. Isha i prapë, por pa vese. Njerëzit më të respektuar për mua qysh i vogël ishin babai, mësuesit dhe policët e Peqinit. Edhe sot nuk kam ndërruar mendim. Familja, shkolla dhe shteti janë të parat dhe të vetmet”.

Nuk i kishte shkuar ndërmend asnjëherë të bëhej polic, sikundër nuk i kishte ndodhur kurrë t’i trokiste në derë një polic, për ndonjë prapësi të mundshme vogëlushi. “Të të vijë polici në derë, ishte gjëma, turp më të madh nuk kishte, duhej të kishe bërë ndonjë gjë të tmerrshme, dhe mua s’më kujtohet të bëja të tilla. Unë mësoja dhe luaja, pastaj kthehesha në shtëpi. Motrat e mia gjithashtu. Madje nuk kam bërë policin, as për to, në kuptimin që t’i ruaja kur dilnin jashtë e zihesha me ndonjë djalë në i ngacmonte. Sepse në familjen time edukata dhe rregullat ishin ligj dhe asnjë nuk e shkelte ligjin e shtëpisë”.

Pastaj përfundoi në Akademi. 4 vjet në Tiranë, kaluan pa probleme për djalin e ardhur nga Peqini, i cili merrte vetëm dhjeta. Pas përfundimit të shkollës, bëri një tjetër shkollë policie me korrespondencë, derisa në vitin ’89 u gjend oficer në Ersekë. “Qytet i qetë, pa probleme. Unë isha i ri dhe pa eksperiencë. Atë kohë vetëm kam vëzhguar dhe mbledhur përvojë. Pastaj nga fundi ’93 më dërguan në Peqin si komandant policie. Ishte koha kur nisën të krijonin probleme për pozicionimin politik, por me mua s’u mor kush. Në qytetet e vogla njerëzit janë më të ftohtë politikisht, se janë aq të ngatërruar në krushqira e farefisnira, sa ligjin e bën gjaku, jo politika. Ndaj, i majtë apo i djathtë, s’më ngacmoi kush, për më tepër që unë isha e mbetem i depolitizuar”.

Rrëmujat e ’97 e gjetën shef komisariati në Peqin. Çuditë që përfshinë gjithë Shqipërinë, nuk mbërritën dot deri te peqinasit, që s’patën mundësi t’i gëzohen shpërthimit të depove, për të cilat Koseni ishte kujdesur jo vetëm t’i ruante me policë, por edhe t’i saldonte dyert me shufra hekuri. Asokohe në qytezë nuk ndodhi asgjë nga ato, për të cilat veçse u lexua në gazeta. I sigurt se e la Peqinin në duar të sigurta të komisariatit të policisë që nuk u thërrmua për asnjë çast dhe në hijen e famës së tij, që pak nga pak po krijohej, Koseni pranoi detyrën si shef komisariati në Tepelenë.

“Shef komisariati i thënçin. Ku kishte komisariat Tepelena! Unë kërkoja të mblidhja efektivin, atje kishin vjedhur edhe dorezat e dyerve. Nga gushti ’97 deri në tetor ’97, pak nga pak, u bënë të gjitha. U mblodhën ca çuna të mirë, policë të mrekullueshëm, u rregullua komisariati, u mblodh ç’ishte vjedhur dhe u vu rregull. Po nuk dua të flas më shumë. Shkoni më mirë të pyesni në Tepelenë.”

Në këtë kohë Koseni ra dhe në sy të medias, një intervistë e gjatë për BBC, pastaj intervista nëpër gazeta. Ishin kohë të tjera ato kur edhe ai besonte te shtypi, besim ky që tashmë i përket vetëm së shkuarës, sepse tani nuk mban as telefon me vete, që të mos e kapin gazetarët.

Nga Tepelena përfundoi në Lushnje.

“Kisha për të bërë akoma në Tepelenë, por pranova të lëvizja që të isha sa më afër Peqinit, me qëllim që ndonjë darkë të shkoja të haja në shtëpi, se kur vinte fundi i 15 ditëshit, atëherë sado kërkoja nëpër xhepa, nuk kisha asnjë qindarkë dhe s’e kisha për gjë të flija pa ngrënë. Pastaj në Lushnjë filloi puna e vërtetë. Atje komisariati si godinë ekzistonte, por policët nuk i dalloja mirë sa për qind ishin të lidhur me bandat. M’u desh ca derisa ta zbuloja. Pastaj nisi kapja e bandave. Banda e Karbunarës ishte më e rrezikshmja. I kapëm të gjithë, me përjashtim të njërit që e vrau një çam nga Fieri. Edhe çamin e kapëm.”

Në mars ’98 Koseni nisi punën si drejtor policie në Elbasan, detyrë që vazhdon ta mbajë edhe sot, dy vjet më pas, ndërsa nuk i kanë kërkuar kurrë, siç thuhet, të vijë në Tiranë, gjë që ai dhe vetë s’e ka fare me qejf.

“SI KAPA KATESHIN DHE KULLËN!”
Tani në Elbasan kanë harruar edhe të flasin për bandën e Kateshit, Cërrikut, Mandelën, etj., banditë nga më popullorët e qytetit, që nga fundi i ’97 e kishin për zakon të pinin kafen, nëpër kioskat rreth e rrotull komisariatit. Ndonëse Koseni e ka me qejf të tregojë për kapjen spektakolare të Kateshit në mes të Tiranës, në mes të natës, që xhelozoi jo pak shef Havarin.

“Çfarë xhelozie , s’është e vërtetë. Ishte detyra e policisë së Elbasanit ta kapte Kateshin dhe ne e kapëm. Kishim marrë informacion se ndodhej në Tiranë. Nuk i thamë kujt veç ministrit për planin e kapjes dhe u nisëm për në Tiranë në mbrëmje vonë. Informatorin e kishim peng, por të sigurtë se ndodhej në vendin ku na tha, nuk ishim derisa e kapëm. Ishim 60 policë, që e kishim marrë në sy edhe luftën me kriminelin, po pati fat e s’kishte luftë. Nga ora 21.00, kaluam në lagjen ku ndodhej, krijuam një ide, duke ardhur rrotull me një makinë civile. Mblodhëm ca informata për lagjen, për njerëzit dhe pastaj i hodhëm një sy pallatit, ku dinim se ndodhej. Kështu derisa ora vajti 3.00 pas mesnate. Në atë orë 60 policë, çuna të shkëlqyer dhe trima, që dinin se do bëhej luftë, por s’dinin me kë, sepse ishte vendosur që sekreti të qe total, rrethuan pallatin.

Një grup bashkë me mua shkoi te dera, të tjerët kishin armët në dorë, gati për çdo të papritur. E hodhën derën në tokë me leva, hekura e shkelma, e morëm Kateshin në krahë dhe e zbritëm nëpër shkallë, për ta hedhur në furgon. Nuk më kujtohen hollësitë, po e gjitha zgjati 3 minuta, asnjë minutë më shumë.”

Koseni nuk pranon ta ketë shndërruar Kateshin në kufomë me një sy, sikundër u padit më pas, kur doli para gjyqit.

“Syrin e kishte vet të plagosur. E vërteta është që vumë dorë mbi të, por nuk më kujtohet. Di të them që ato nënat që i kanë mbuluar kokat me shami të zezë, pse ka jetuar në Elbasan një Tan Katesh, kur morën vesh që e kapëm, nuk na kanë lënë bekim pa dhënë mua dhe shokëve të mi.”

Nehat Kulla, pastaj, është një histori më vete.

“Më thanë që kaloi Elbasanin me një rresht makina, për të shkuar s’di ku. Makina me simbolet e policisë dhe perde. E mendova që do kthehej përsëri nga ajo rrugë për të shkuar në Tiranë. Kështu ndodhi. I ndaluam për t’i pyetur ç’kërkonin me simbolet tona, kur ishin veçse civilë. Pastaj iu bëmë dhe kontroll në makinë dhe iu gjetëm depo armësh brenda. Thonë se e kishte zakon të udhëtonte kështu. Epo në Elbasan nuk mund ta lejonim, ndaj i hodhëm prangat për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të paligjshëm të simboleve të policisë. Aty është dhe tani, në qelitë e komisariatit tonë. Kur ka për të dalë para gjykatësve, e shoqërojmë ne në Tiranë, pastaj kthehet sërish në qeli. Nuk di në ka pasur ndonjë nam si i fortë, as në ka ndonjë politikan që ta mbrojë. S’më ka rënë rasti të dëgjoj për të tilla gjëra. Për Kullën të flasë drejtësia. Unë kam detyrë ta ruaj. Në paraburgim e trajtojnë si çdo njeri tjetër që i duhet të rrijë aty ca kohë”.

Ai nuk shton ndonjë fjalë tjetër për mënyrën si i çon ditët Nehat Kulla në qelitë e Kosenit, ndonëse duhet t’ia ketë kapur veshi që kur në Elbasan dikush bën diçka që nuk shkon, i thonë: “Rri mirë se të çuam te Nehati”.

TË GJITHË “MOTRA” TË KOSENIT

Ndërsa një tjetër shprehje që përdoret rëndom nga vajzat në Elbasan, kur një djalë i ngacmon është: Më qëndro larg se i thashë Kosenit. Por psikoza e frikës është ngulitur kaq fort, e është krijuar ideja se gjithë elbasanaset janë motrat e kushërirat e Kosenit, sa ka filluar e s’iu afrohet kush. Koseni qesh kur e dëgjon këtë fakt, ndonëse e pranon se i ka lënë ndoca ditë në qeli, djemtë që e kanë tepruar duke iu qepur vajzave, pas ankesave të këtyre të fundit.

“Iu kam thënë, ju s’jeni burra, ndaj e meritoni të dënoheni. Se burri i vërtetë, e bën veten simpatik, që t’i venë vajzat nga pas, ndërsa ju i shkoni në shkollë, iu qepeni dhe jo vetëm i lini pa mësim, por dhe ju fusni frikën.”

Qelitë e Elbasanit i kanë provuar edhe ata që iu është tekur të gjuajnë në ajër, kot së koti. Prishje e qetësisë publike dhe armëmbajtje pa leje. Për të mos folur për kë ka armë në shtëpi. Policia shkon ta pyesë, nëse ka rastësisht armë. Mirë është të ta tregojë vetë.

Madje në Elbasan e rrethina, thonë se po bëre ndonjë të keqe, nga ato që s’i pranon bibla e Kosenit, e cila quhet ligj, e mira është të shkosh vetë të dorëzohesh, se që do të kapin, nuk e vë kush në dyshim.

Së fundi, në Elbasan vjedhje konsiderohen ato brenda shtëpisë, kur djali, për shembull, i vjedh nënës 4000 lekë të reja. Policia kërkon djalin, i merr lekët dhe ia dorëzon nënës që ka bërë denoncimin. Jo se nuk ka vjedhje të tjera, por përqindja e zbulimit të tyre është as më shumë e as më pak se 90%.

Ndërsa zbulimi i krimeve të tjera është jo më shumë se 100%. Për të mos vazhduar më tej dhe treguar se në 6 muaj ka ndodhur vetëm një vrasje. Dhe akoma, akoma, që në Elbasan janë mbledhur nga policia 300% të armëve të vjedhura, shifër që shpjegohet me faktin, që janë dorëzuar jo vetëm armët e prefekturës së Elbasanit, por të gjithë zonave përreth, armët e të cilave kanë përfunduar në këtë prefekturë. Ndërsa të fundit që Koseni pëlqen t’i tregojë vet, është se në gjithë prefekturën që ai kontrollon, nuk ka asnjë pëllëmbë tokë të mbjellë me kanabis, që të huajt preferojnë të bëjnë aktivitete në këtë zonë, se nuk të ngacmon kush dhe që në mes të natës, mund të kalosh në rrugë, vetëm apo me gruan dhe nuk ndodh të të ndodhë gjësend.

ÇFARË KOSENI NUK PËLQEN TA TREGOJË

Nuk i pëlqen të nxjerrë asnjë fjalë për familjen. Nuk do të marrë vesh kush, se nuk i ka numëruar asnjëherë paratë e rrogës, që pasi i ka marrë në zarf nga financierja, i dorëzon në shtëpi, për t’i bashkuar me pensionin e prindërve dhe 90 mijë lekët e vjetra që merr bashkëshortja si grua e papunë oficeri. Të gjitha lekët së bashku bëjnë që familja e tij të jetojë si çdo familje e mesme shqiptare, shtresë së cilës i ka përkitur ngaherë.

“Një polic i përket vetëm shtresës së mesme nga paratë. Pra ka të jetojë, por s’ka lekë në bankë. Kur ka pastaj ca para të tjera, që s’iu dihet burimi, atëherë nuk është polic. Dikush është pas tij. Duke parë si jetojnë policët unë kam bërë dhe ndarjen mes tyre, kam kuptuar dhe tipat, kam krijuar edhe besimin.”

Paratë janë arsyeja e dytë, që i shtohet dashurisë e cila e lidh me Peqinin, që Koseni nuk shkon të banojë në një apartament në Elbasan. Kështu që disa herë në javë, ai lë zyrën, që i shërben edhe si shtëpi në komisariatin e Elbasanit, për të fjetur në shtëpinë e tij në Peqin, ku e presin 3 të voglat, të cilave babai vetëm ju mungon. Megjithatë Koseni nuk pranon të flasë për Mondin baba dhe burrë. Për të, një ditë nis me punë dhe mbyllet me punë. Vetëm ndonjë moment i lirë është për t’ju kushtuar shtëpisë. Këtë e ka ditur qysh kur mbaroi shkollën dhe nuk i duket aspak sakrilegj.

Atij, i vjen vetëm keq që kjo jetë, që ndonjë kriminel nga ata që ai shpesh arreston, do ta quante “jetë qeni”, i përgojohet në gazeta.

“Të punosh duke pasur mbi kokë, më shumë qefinin se kapelën e uniformës tënde dhe të të akuzojnë, kjo nuk është e ndershme. Unë nuk jam nga ata që dalin në gazeta e thonë pa pikë turpi, na rrahu Koseni, si të ishin gra.

Unë jam burrë e kam sedër, ndaj nuk duroj të më prekin gazetat, kështu që e kam mbyllur me to. Asnjë fjalë nuk lexoj e as them nëpër gazeta. Më mirë secili në punë të vet.”

Por edhe për ata që dalin në gazeta e tregojnë si i rrahu Koseni, ai nuk pranon të flasë. Ndonëse edhe pa folur ai, nuk ka mbetur njeri që nuk e ka marrë vesh sesi një prefekt, ndërsa pinte një kafe në Elbasan, e la makinën para universitetit, ku është e ndaluar të parkohet. Kërkesës së policit për ta hequr, i ardhuri nga Tirana ju drejtua me fyerje që iu duk se ia lejonte posti.

Por polici i shkollës së Kosenit, nuk mund ta imagjinonte sesi një njeri me uniformë mund të shahej me fjalor të pakontrolluar, qoftë edhe nga një njeri me kravatë që thoshte se ishte edhe me përgjegjësi në kryeqytet.

Pa e bërë të gjatë, ai thirri kolegët dhe e hodhën shkelësin e ligjit në fugon, duke e dërguar drejt e në komisariat, ku jo vetëm nuk e priti ndonjë ngushëllim, por vetë Koseni, i cili pasi u njoh me identitetin e tij, e la të lirë, vetëm kur u sigurua që i kërkoi falje uniformave blu, të cilët i kishte penguar në kryerjen e detyrës.

Pak a shumë një histori e përafërt ka ndodhur edhe me një ish drejtues të shërbimit sekret shqiptar, i cili thotë se udhëtonte me një makinë me perde, nga ato që Koseni s’i ka qejf fare, me shpejtësi, kur qarkullimi thotë se në rrugë si ajo e Krrabës, nuk kalohet kurrë mbi 80 në orë dhe ç’është më e keqja, edhe kishte parakaluar autokolonën e policisë elbasanase, në një urë, ku një makinë policie kishte shpëtuar pa rënë poshtë sajë një manovrimi të shoferit. Tregojnë se kur policia e kishte ndaluar personin në fjalë, Koseni i kishte dhënë një “shpullë për vetëmbrojtje” dhe pasi kishte mësuar se i lënduari kishte qenë në vite oficer, jo se kishte shfaqur ndonjë pendesë. Madje tregojnë t’i ketë thënë: “Aq më turp për ty që shkel rregullat dhe më detyron mua, të t’i mësoj, kur kam gjysmën e përvojës dhe moshës tënde”

“Fjalë, fjalë, asgjë nuk është e vërtetë”- thotë Koseni për të gjitha këto.

ASGJË PERSONALE

“E vërteta është që atë Kateshin e kam rrahur. Por jo në qeli. Në paraburgim s’vihet dorë kurrë, nga askush. Vetëm para se ta sillja. E kam rrahur dhe ai Fatos Lubonja, që unë nuk e njoh, por që ka botuar një shkrim, ku thotë për mua të njëjtat fjalë që thoshte dhe vjet, nuk mund të kuptojë pse e rraha unë.

Edhe ju të tjerët nuk do ta kuptoni nëse nuk keni parë, e as dëgjuar, që një nuse të merret nga dasma dhe të përdhunohet në sy të burrit, që një vajze t’i vihet flaka dhe t’i lihet kufoma e shkrumbuar në mal, që një gruaje për t’i marrë unazën t’i pritet dora, që një djali pasi ta kesh vrarë, t’i vesh dhe tritol në gropën ku do e varrosin, që të marrë me vete në atë botë dhe kë shkon për mort.

E kam rrahur Kateshin para se ta dërgoja në qeli, që t’i thosha Elbasanit se shteti është më i fortë se krimi. Ndoshta s’duhej, por unë nuk jam ky që flet tani, kur kam përballë një kriminel.”Koseni nuk pranon të ketë vënë dorë mbi kë, sipas tij, nuk është kriminel, gjithmonë duke folur e kategorizuar sipas tij. Koseni nuk pranon që i ka futur frikën Elbasanit, duke e tulatur nën peshën e trembjes edhe në gjumë nga Koseni i tmerrshëm.

“ǒfrikë. Policët e Elbasanit janë të gjithë djem të edukuar, të bukur, të mrekullueshëm dhe të respektuar. Unë jam i pari që i respektoj, pastaj gjithë qyteti. Nuk punohet po nuk ishe në grup, ndaj unë mbaj autoritetin e tyre, që të ruaj timin. Se unë vetëm ç’do bëja? Se mos jam Van Dami?”

Koseni nuk pranon gjithashtu të ketë vrarë kënd, aq më pak të jetë treguar agresiv pa shkak. “Merr një budalla të spitalit në Elbasan dhe shiko që as ai nuk të të kthehet pa shkak, jo më unë që jam normal”.

Dhe së fundi, Koseni nuk pranon të jetë diktator.

“Unë zbatoj vetëm ligjin. Nuk kam asgjë personale. Poqese e quani ligjin diktaturë, quamëni dhe mua diktator”./R.Xhunga Dritare.net/
Shtuar më 18/08/2017, ora 15:12
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori