A mund të bëhet ndonjëherë Rusia një komb evropian “normal”?

Nga Adrian Karatnycky “Foreign Policy

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

A mund të bëhet një ditë Rusia një shtet-komb normal, sipas modelit të vendeve të tjera evropiane dhe ish-perandorive, duke braktisur 500 vitet e pushtimeve dhe propagandës perandorake?

Për shkak se mendësia perandorake ka qenë e ndërthurur me ndjenjën ruse të kombësisë për një kohë shumë të gjatë, një ndryshim i tillë nuk ka gjasa të vijë nga brenda.

Si për ironi, janë ukrainasit ata që duke i shkaktuar një disfatë vendimtare Moskës, mund të nxisin një rishqyrtim të identitetit kombëtar të Rusisë. Vetëm në humbje, rusët do të kenë shansin për të ri-fokusuar prioritetet e vendit të tyre larg perandorisë, dhe drejt një axhende të brendshme të zhvillimit ekonomik, social dhe demokratik.

Ndjenja ruse e kombësisë e përqendruar tek reformat dhe jo dominimi mbi jo-rusët, lulëzoi për një moment në ditët e fundit të Bashkimit Sovjetik. Rreth vitit 1990, disa politikanë reformistë në Moskë, Leningrad (sot Shën Petersburg) dhe qytete të tjera të mëdha ruse u organizuan rreth një axhende liberale patriotike në lëvizjen e Rusisë Demokratike. Udhëheqësit e lëvizjes – si për shemull aktivisti për të drejtat e njeriut Lev Ponomaryov, aktivisti Mikhail Astafyev, prifti ortodoks Gleb Yakunin dhe kryetari i bashkisë së Moskës

së shpejti Gavriil Popov – artikuluan një axhendë të reformave të brendshme që synonte të riparonte dëmin që i kishin shkaktuar popullit rus 70 vjet diktaturë komuniste.

Udhëheqësit e kësaj lëvizjeje të sapolindur ishin të parët që shpalosën flamurin trengjyrësh rus në Kongresin e Deputetëve Popullorë të Republikës Sovjetike Federative Socialiste Ruse (RSFSR), një nga 15 republikat përbërëse të Bashkimit Sovjetik. Shumica e njerëzve e kanë harruar këtë, por në fakt flamuri modern rus i pati fillesat si një simbol i liberalizmit dhe rezistencës – i udhëhequr nga Boris Yeltsin, asokohe presidenti i republikës së sapoformuar ruse – deri në tentativën e grushtit të shtetit të gushtit 1991 nga përfaqësuesit ushtarakë të linjës së ashpër që kërkonin të shtypnin reformat dhe rivendosin diktaturën sovjetike.

Axhenda e moderuar e lëvizjes së Rusisë Demokratike, përkoi me ambiciet politike të Yelstin – duke përfshirë dëshirën e tij për të sabotuar aparatin qendror sovjetik dhe për ta transferuar pushtetin në republikën ruse që drejtonte në atë kohë.

Rrethi i tij i ngushtë, përfshinte patriotë me ndikim anti-perandorak, si Genadi Burbulis, një nga hartuesit e marrëveshjeve që shpërbënë Bashkimin Sovjetik dhe Galina Starovoitova, një ish-disidente. Nacionalistët liberalë, të udhëhequr nga reformatori ekonomik Yegor Gaidar, themeluan më vonë partinë Zgjedhja Demokratike e Rusisë, e cila fitoi 18 për qind të vendeve në zgjedhjet parlamentare të vitit 1993, duke u bërë partia kryesore e koalicionit të Yelstin.

Në vitet e para të pavarësisë post-sovjetike të vendit, ky i fundit promovoi idenë e Rusisë si atdheu i popullit rus. Edhe pse shpresonte të lidhte të 15 shtetet e pavarura post-sovjetike me njëri-tjetrin në një konfederatë, Yelstin punoi në mënyrë konstruktive me shtetet fqinje jo-ruse, duke e njohur përfundimisht sovranitetin e tyre.

Me përjashtim të mbështetjes ruse për lëvizjet separatiste në Gjeorgji dhe Moldavi, në përgjithësi Yelstin shmangu mosmarrëveshjet territoriale jashtë kufijve të Rusisë. Simbolet sovjetike dhe referencat për Perandorinë Ruse u hodhën poshtë. Në vend të tyre vëmendja u fokusua në ndërtimin e institucioneve shtetërore dhe civile, duke përfshirë partitë politike, sindikatat, organizatat e veteranëve, grupet mjedisore dhe shoqatat kulturore.

Në vend të himnit kombëtar sovjetik, Rusia përdori “Këngën Patriotike”, një melodi e kompozitorit klasik Mikhail Glinka, pa asnjë tekst shoqërues. Por forcat perandorake të fuqishme revanshiste dhe shoviniste nuk u zhdukën asnjëherë. Zëri i tyre më i shquar në publik ishte një opozitë e fuqishme konservatore në Dumën ruse, që për pak gati e rrëzoi Yeltsin në një përpjekje për ta zëvendësuar atë me nënpresidentin e tij, Alexander Rutskoy.

Idetë imperialiste mbetën të fuqishme edhe në gjirin e shërbimeve të sigurisë, ndikimi i të cilave u rrit për shkak të “fermentimit” politik midis pakicave të shumta etnike të Rusisë. Për shkak të vështirësive ekonomike të një tranzicioni të vështirë nga sundimi sovjetik – dhe teksa përpjekjet e Çeçenisë për pavarësi i vendosën rusëve kundër jo-rusëve – u dobësua shumë ndikimi dhe popullariteti i nacionalistëve liberalë. Në vend të tyre, Yeltsin lejoi gradualisht rikthimin në pozicionet me ndikim të përfaqësuesve të linjave të ashpra dhe që kishin ide perandorake.

Këta të fundit e bindën Yelstin-in se separatistët çeçenë duhet të shtypeshin me forcë. Fitorja e plotë e kësaj linje radikale ndodhi në vitin 1999 me emërimin e Vladimir Putin si kryeministër dhe më pas si president. Putin nuk humbi kohë në ripërcaktimin e Rusinë dhe për rizgjimin e ndjenjës së saj të madhështisë perandorake.

Në vitin 2000, ai hoqi himnin kombëtar të Yelstin, rivendosi himnit sovjetik dhe i shtoi tekstit fraza të reja që e lavdërojnë Rusinë si një “bashkim shekullor të popujve vëllazërorë”. Sot ka pak shtysa për një lëvizje patriotike ruse të fokusuar në zhvillimin e brendshëm.

Edhe tek ajo që ka mbetur nga opozita, ka pak zëra që po përpiqen të bindin rusët të ndërtojnë një të ardhme brenda kufijve të njohur të vendit. Edhe aktivisti i burgosur i opozitës Alexey Navalny, është shprehur kundër luftës, por mendon se Krimea i përket Rusisë. Po ashtu ai nuk kërkon falje për përdorimin e fyerjeve kundër pakicave kombëtare të Rusisë.

Ai ka folur me keqardhje për ndarjen e ukrainasve ortodoksë nga Moska, dhe e fajëson Putinin për shkatërrimin e perspektivës për krijimin e vërtetë të një “Bote Ruse”, Russkiy Mir, që shtrihet shumë përtej kufijve aktualë të Rusisë, një konstrukt ideologjik i promovuar nga nacionalistët rusë të ekstremit të djathtë dhe i përdorur nga Putini dhe zëdhënësit e tij mediatikë për të justifikuar mohimin gjenocidal të Rusisë ndaj kombësisë ukrainase.

Navalny dhe shumica e figurave të tjera të opozitës ruse, e përqendrojnë vëmendjen e tyre në sundimin autoritar të shtetit dhe korrupsionin e shfrenuar dhe jo tek vlerat themelore –  si respektimi i kufijve dhe i zgjedhjes së vendeve sovrane – që mund të hedhin themelet e një identiteti kombëtar post-perandorak.

Vetëm një triumf i qartë nga ukrainasit që e pohojnë identitetin e tyre të veçantë kombëtar, mund t’i ndihmojë rusët të kalojnë në një identitet qytetar post-perandorak. Ka precedentë historikë kur rusët e kanë ndryshuar pikëpamjen e tyre se kush i përket botës perandorake ruse.

Gjatë shekullit XIX-të, kur pjesa më e madhe e Polonisë ishte pjesë e Perandorisë Ruse, Kremlini i shihte polakët si një komb që do t’i nënshtrohej rusifikimit kulturor, arsimor dhe fetar. Konti Sergei Uvarov, Ministri i Arsimit i Perandorisë Ruse gjatë viteve 1833-1849, besonte se polakët mund të shndërroheshin në rusë brenda një brezi.

Por një seri rebelimesh polake, i mësuan Rusisë se asimilimi i detyruar i polakëve nuk do të funksiononte. Rusët mësuan, siç po mësohen sot nga ukrainasit, se polakët ishin në fakt një komb i veçantë që nuk dëshironte të humbiste kulturën dhe identitetin e tij. Edhe ukrainasit, janë rebeluar kundër rusëve gjatë gjithë historisë së tyre, sidomos gjatë shekujve XVII-XVIII.

Por në dallim nga rezistenca e ashpër e polakëve ndaj Rusisë, rezistenca ukrainase pati një kohëzgjatje dhe intensitet të pamjaftueshëm për t’i çliruar rusët nga iluzionet e tyre se ukrainasit – të quajtur fillimisht “rusët e vegjël” në epokën cariste si një mënyrë për ta zhdukur kombësinë e tyre – ishin në fakt një popull më vete, me një gjuhë dhe kulturë të veçantë.

Diskutimet për të ardhmen e Rusisë janë përqendruar kryesisht në dy skenarë: largimi i Putinit dhe zëvendësimi i tij me një udhëheqje më pragmatike, dhe ndarja e Rusisë në disa shtete. Por asnjëri nga këto skenarë nuk garanton një siguri afatgjatë për Ukrainën dhe vendet e tjera që i përkisnin më parë sferës sovjetike.

Nuk ka asnjë siguri se Rusia dhe populli i saj nuk do të heqin dorë nga mendësia e tyre perandorake dhe nuk bëhen një shtet-komb “normal” evropian. Edhe nëse Ukraina fiton me ndihmën e Perëndimit, instinktet perandorake të Rusisë nuk ka gjasa të zhduken plotësisht.

Gjithsesi braktisja e projekteve perandorake ka kërkuar pothuajse gjithmonë një humbje.

Prandaj një fitore në të cilën Ukraina rimerr kontrollin mbi territoret e saj, dhe mbron me sukses identitetin e saj kombëtar dhe evropian, mund të bëhet një faktor vendimtar në shtyrjen e rusëve në rrugën e zhvillimit normal të shkelur më parë nga popujt e tjerë evropianë dhe shtetet post-koloniale. /albeu.com

Marrë me shkurtime
Shënim:Adrian Karatnycky, anëtar në think-tankun “Atlantic Council” dhe themeluesi i “Myrmidon Group”.


Shtuar 22.02.2023 11:05