Mos bëni zhurmë se ju vjen policia!

Policia ka nisur një operacion për parandalimin e zhurmave nëpër zonat bregdetare si edhe brenda qyteteve, i cili është për t’u përgëzuar nisur edhe nga fakti se mos shqetësimi i tjetrit është një element që pak i shqetëson shqiptarët.

Pas disa operacioneve në Tiranë dhe Vlorë, tashmë policia njofton se ka proceduar një të ri në Shkodër, i cili çdo natë “çmendte” lagjen duke vënë muzikë të lartë në lokal. Policia ka sekuestruar edhe dy pajisjet që gjeneronin zhurmën.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në zbatim të detyrave të lëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për të shtuar vigjilencën dhe kontrollet në terren, gjatë sezonit turistik 2023, me qëllim parandalimin e ndotjes akustike dhe shqetësimit të banorëve apo pushuesve, nga muzika e lartë, kanë konstatuar një tjetër rast të paligjshmërive në këtë fushë“, njofton policia.

Njoftimi i policisë

Shkodër/Kontrolle gjatë ditës dhe natës, në të gjitha subjektet për argëtim, me qëllim parandalimin e ndotjes akustike.

Konstatohet muzikë e lartë në një lokal, pronari i të cilit u procedua penalisht, pasi prishi qetësinë publike dhe shqetësoi banorët.

Sekuestrohen pajisjet që gjeneronin muzikën.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në zbatim të detyrave të lëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për të shtuar vigjilencën dhe kontrollet në terren, gjatë sezonit turistik 2023, me qëllim parandalimin e ndotjes akustike dhe shqetësimit të banorëve apo pushuesve, nga muzika e lartë, kanë konstatuar një tjetër rast të paligjshmërive në këtë fushë.

Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Prishja e qetesisë publike”, për shtetasin E. Ç., 30 vjeç, banues në lagje ‘’Perash’’, Shkodër, pasi në lokalin në pronësi të tij, kishte vënë muzikë të lartë që përbënte shqetësim për banorët.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pajisjet që gjeneronin muzikën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shkodrës apelon për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve, lokaleve të nates dhe hoteleve, që të zbatojnë me rigorozitet ligjin dhe rregullat në lidhje me ndotjen akustike, pasi në rast të konstatimit të kësaj paligjshmërie, shërbimet e Policisë do të sekuestrojnë pajisjet që gjenerojnë muzikë dhe do të procedojnë konform ligjit, shtetasit përgjegjës.

 


Shtuar 15.06.2023 12:12