Në gjendje të rëndë pas aksidentit tragjik ku humbën jetën dy vajza, ky është shoferi i makinës: I arrestuar 3 herë me parë

Një aksident tragjik me dy viktima ndodhi mëngjesin e sotëm, ku kanë humbur jetën dy vajza dhe është plagosur rëndë shoferi 26-vjeçar. Sipas policisë, në orët e para të mëngjesit në autostradën Durrës-Tiranë, shtetasi Arbër Tivari, 26 vjeç, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti është përplasur me trafikndarësen. Si pasojë e përplasjes kanë humbur jetën dy pasagjeret, shtetasja Silva Gjergji, 26 vjeçe dhe pasagjerja tjetër ende e paidentifikuar që ndodheshin në automjet.

Arbër Tivari është emër i njohur për policinë e Durrësit. Në mars 2021 ai u plagos në lagjen nr.4 në Durrës, pas një konlfikti çasti me Alket Buçpapaj, i cili pasi qëlloi me armë zjarri u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Policia e arrestoi një ditë më pas Tivarin pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën 1 armë zjarri automatik, 1 armë e ftohtë (thikë) dhe municion luftarak.

Tivari rezulton të jetë një person problematik dhe me precedentë të mëparshëm penalë, pasi ka qenë i arrestuar për një sërë veprash penale si armëmbajtja pa leje, shpërndarja e lëndëve narkotike në doza të vogla, kanosje etj. dhe është arrestuar edhe në vitet 2012 dhe në 2015, para se të arrestohej sot, në spital, për të katërtën herë,ku ndodhet në gjendje të rëndë, pasi shkaktoi aksidentin me dy viktima.