Trump trondit Erdoganin me sanksione të tjera, Turqia drejt kolapsit (FOTO LAJM)

Pëlqej
Presidenti Donald Trump duket se po i jep dorën e fundit krizës ekonomike në Turqi duke ndikuar në zhvlerësimin e mëtejshëm të lirës turke.

Përmes një statusi tepër ironik në Twitter ai njofton se ka dyfishuar tarifat për aluminin dhe hekurin e importuar nga Turqia duke shkatërruar kështu praktikisht ato kompani turke që merren me këtë aktivitet, raporton Albeu.com.

"Me gjithë respektin me monedhën kombëtare turke, duhet të them se kemi dyfishuar tarifat për aluminin dhe hekurin. Raportet tona me Turqinë nuk janë aspak të mira", tha ndër të tjera Trump duke shkaktuar tërmet të vërtetë aktualisht në Turqi.

Krahas kësaj, ky vendim pritet të ketë efekt psikologjik duke zhvlerësuar edhe më tepër lirën turke, e cila aktualisht po përjeton periudhën më të vështirë të dekadës së fundit.

Lira turke ka humbur 6 për qind sot ndaj dollarit dhe euros, ndërsa që prej fillimit të vitit është zhvlerësuar 50 %.

Shumë prej atyre që kanë lira në dorë po vrapojnë për t'i shkëmbyer në dollar apo euro duke iu trembur një kolapsi të ekonomisë turke, ashtu siç ndodhi në fillimin e viteve '2000.

Mëngjesin e sotëm, për të blerë një dollar, turqit duhej të paguanin 6.44 lira kurse për një euro, 7.10 lira, ndërkohë që vetëm dy ditë më parë, një dollar blihej me 5.40 lira kurse një euro me 6.60 lira.

SHBA i ka kërkuar Turqisë që të lirojë priftin Andrew Brunson si edhe disa shtetas të tjerë amerikanë, të arrestuar gjatë vitit të fundit me akuzën e pjesëmarrjes në grushtin e shumëpërfolur të shtetit të korrikut 2016.

Ndërkohë, në SHBA gjenden të arrestuar drejtori i HalkBank si edhe biznesmeni iranian Reza Zarrab me akuzën e thyerjes së embargos së OKB ndaj Iranit.

Administrata Trump këmbëngul se arrestimi i amerikanëve prej Turqisë është bërë me qëllim mbajtjen e tyre peng dhe shkëmbimin me të arrestuarit në SHBA, të cilët me deklaratat e tyre mund të përfshijnë persona të afërt me Erdoganin.

SHBA iu vendosi embargo dy ministrave turq, ndërsa ka një tjetër listë gati me politikanë dhe biznese, të cilëve do t'u vendosë embargo nëse nuk lirohet prifti Brunson dhe amerikanët e tjerë./albeu.com/
Shtuar më 10/08/2018, ora 14:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori