Mbi 45 mijë emigrantë të paligjshëm u futën në Britani me gomone, mes tyre 12 mijë shqiptarë

45,756 emigrantësh kaluan Kanalin e La Manshit për në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2022. Mediat britanike shkruajnë se mes tyre, kanë qenë mbi 12 mijë shqiptarë.

Kalimet e fundit të vitit ndodhën gjatë ditës së Krishtlindjeve, kur 90 persona bënë udhëtimin nga Franca me dy varka.

The Times shkruan se gjatë 12 muajve të fundit, politikanët kanë bërë një sërë përpjekjesh për të përballuar krizën e emigrantëve ndërsa presioni u intensifikua në mes të një ndryshimi të trazuar në lidership, i cili pa tre kryeministra dhe tre sekretarë të brendshëm.

Që kur marrëveshja me Ruandën u nënshkrua në prill nga paraardhësja e Suella Braverman, Priti Patel, 40,460 emigrantë kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar pasi kanë kaluar Kanalin.

Kryeministri Rishi Sunak premtoi se në vitin 2023 do të sjellë legjislacion që të ua bëjë të qartë emigrantëve ‘se nëse hyni ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar, nuk do të mund të qëndroni këtu’.

Në fillim të kësaj jave, ish-kryeministrja Theresa May paralajmëroi se përpjekjet për të reformuar ligjet rrezikojnë të krijojnë boshllëqe të tjera që mund të shfrytëzohen pasi Braverman pretendoi se ata po ‘abuzohen nga njerëzit që luajnë me sistemin’.