Përplasjet brenda NATO-s janë një dhuratë për Vladimir Putinin

Washington Post

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Me përjashtim të skenarit kur Rusia humb në fushën e betejës, apo ndryshimit të regjimit në Moskë që do të prodhonte një lidership të ri që distancohet qartë nga fantazitë imperialiste, lufta në Ukrainë ofron pak perspektiva të menjëhershme për përfitime strategjike afatgjata

për Perëndimin.

Gjithsesi, një përjashtim të dukshëm përbën zgjerimi i NATO-s, për të përfshirë Suedinë dhe Finlandën, një perspektivë kjo shumë e afërt, por që tani për tani mbetet e bllokuar nga një anëtar kyç i aleancës 30-anëtarëshe: Turqia. Ky ngërç lidhet me një mori problematikash, midis të cilave edhe sfidat e brendshme politike të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan.

Ky ngërç është krijuar pra kryesisht nga presidenti turk. Erdogan është një pazarxhi i palodhur dhe i sigurt se do të arrijë të përdorë ndikimin që ka për të përfituar lëshime nga aleatët e tij në NATO, dhe njëherazi për të entuziazmuar bazën e tij nacionaliste të mbështetësve pak përpara zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Turqi, të planifikuara për në qershor.

Megjithatë, do të ishte e rrezikshme që sjellja e tij penguese të cilësohej si një qëndrim i tij

i përkohshëm apo të supozohet se ngërçi do të zhduket menjëherë nëse Erdogan i fiton zgjedhjet pavarësisht keq-menaxhimit të inflacionit në rritje në vend dhe krizës ekonomike

që ka mbërthyer Turqinë.

Zgjidhja e këtij ngërçi do të kërkojë një diplomaci të qëndrueshme dhe ndoshta edhe lëshime të vërteta, disa prej të cilave janë në dorën e Uashingtonit. Presidenti Joe Biden dhe Kongresi Amerikan mund të luajnë një rol kyç në këtë aspekt.

Madje ata duhet ta bëjnë këtë, sepse pavarësisht sfidës që Turqia krijon sot për NATO-n, ajo mbetet një anëtare e fuqishme dhe e domosdoshme e aleancës, në një kohë që pasojat e zgjerimit të anëtarësimit në NATO – apo dështimit të saj – do të jenë shumë të mëdha. Suedia dhe Finlanda janë vende me përmasa modeste – së bashku do të shtonin më pak se 2 për qind të popullsisë kolektive të NATO-s prej rreth 950 milionë banorësh – por gjithsesi hyrja e tyre në aleancë ka një rëndësi shumë të madhe. Ajo do të përfaqësonte një humbje të rëndë strategjike për presidentin rus Vladimir Putin, duke e zgjeruar ndjeshëm territorin e aleancës perëndimore përgjatë kufirit me Rusinë.

Më shumë se çdo lëvizje tjetër e mundshme për Uashingtonin dhe aleatët e tij evropianë, zgjerimi i NATO-s vetëm sa do të nxirrte më në pah marrëzinë e Kremlinit me nisjen e një pushtimi të përgjakshëm të një kombi sovran që nuk përfaqësonte asnjë kërcënim ushtarak për Moskën.

Për më tepër, ajo do të zgjeronte “ombrellën e sigurisë” së NATO-s për një grup partnerësh të çmuar, të cilët janë me të drejtë nervozë për gatishmërinë e provuar të Rusisë për të nisur një luftë rajonale në shkallë të plotë, dhe që kanë braktisur dekada të neutralitetit të tyre për të aplikuar së bashku për anëtarësimin në aleancë.

Erdogan ka përfituar nga ky aplikim – por edhe nga rregullat e NATO-s që i japin çdo anëtari të drejtën e vetos mbi zgjerimin – për të përforcuar ankesat e Turqisë ndaj 2 kandidatëve nordikë por edhe aleancës në përgjithësi, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Disa nga këto ankesa i kanë rrënjët tek shqetësimet e sigurisë që ka vetë Turqia. Të tjerat pasqyrojnë hendekun midis shtetit intolerant dhe gjithnjë e më despotik që ka ndërtuar Erdogan dhe demokracive të fuqishme të mbështetura nga shoqëritë civile dinamike në shtetet e tjera anëtare të NATO-s, por edhe në vendet kandidate si Suedia dhe Finlanda.

Ankesa më e madhe e Turqisë është edhe më e vështira për t’u adresar. Erdogan është i bindur se Suedia, popullsia kurde e së cilës është rreth 100.000, duhet të ndëshkojë aktivistët dhe simpatizantët kurdë, që dyshohet se janë të lidhur me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, PKK, e cila ka kryer sulme terroriste në Turqi.

Ankaraja, ashtu si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, e konsiderojnë PKK si një organizatë terroriste. Në disa raste, Turqia ka kërkuar ekstradimin e kurdëve dhe aktivistëve të tjerë anti-Erdogan, rastet e të cilëve janë gjykuar nga gjykatat suedeze apo që nuk kualifikohen si terroristë sipas standardeve perëndimore.

Në rastin e një personi, ekstradimin e të cilit Erdogan e ka kërkuar publikisht, një gazetar i mërguar që akuzohet për mbështetjen e grushtit të shtetit të vitit 2016 që synonte rrëzimin e tij, gjykatat suedeze kanë refuzuar kërkesën e presidentit turk.

Në çdo rast, Erdogan nuk mund të presë në mënyrë të arsyeshme që një demokraci perëndimore të lërë mënjanë ligjet dhe procedurat e saj gjyqësore për të dorëzuar aktivistët, bazuar vetëm tek pretendimi se për të janë armiq.

Një kërkesë tjetër e Ankarasë, që vendet nordike të heqin ndalimin për shitjen e armëve të tyre për Turqinë, duket se është në rrugën e zgjidhjes. Ndalimi, i vendosur gjithashtu nga vende të tjera evropiane, u vendos në vitin 2019 kur Turqia filloi sulmet brenda Sirisë kundër një milicie kurde të lidhur me PKK-në, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë, që ishte çelësi për humbjen ushtarake të Shtetit Islamik.

Duke ruajtur si prioritet anëtarësimin në NATO, Suedia ka rifilluar shitjen e disa lloje armësh për Turqinë, dhe Finlanda do të bënte mirë që të ndiqte shembullin e saj. Ndërkohën një çështje shumë më e rëndësishme është investimi 6 miliardë dollarësh i Turqisë për të zgjeruar dhe modernizuar flotën e saj ekzistuese të avionëve luftarakë F-16 të prodhimit amerikan.

Pavarësisht mbështetjes nga administrata Biden, shitja e këtyre avionëve është bllokuar në Capitol Hill, për shkak të shqetësimeve mbi shkeljen e të drejtave të njeriut në Turqi, dhe me urdhër të ligjvënësve amerikanë dashamirës ndaj Greqisë, e cila e kundërshton këtë marrëveshje.

Por ky ngërç në Kongres tregon qartazi një dritëshkurtësi, dhe justifikimi për të zbehet përballë rolit jetik që luan Turqia në NATO dhe në zgjerimin e aleancës. Nuk ka dyshim se Turqia, e cila iu bashkua NATO-s në vitin 1952, vetëm 3 vite pas themelimit të saj, ndonjëherë ka qenë një partner i vështirë për aleatët e saj.

Erdogan i ka ndërlikuar më tej këto sfida që nga ardhja e tij në pushtet, duke krijuar lidhje më të ngushta me Rusinë, madje edhe kur Putin nisi pushtimin e Ukrainës. Në vitin 2019, për shkak të kundërshtimeve të ashpra nga administrata Trump, Turqia vendosi përdorimin e S-400, një sistem rus i mbrojtjes ajrore, për të cilin Shtetet e Bashkuara kishin frikë se mund të komprometonte arsenalin më të mirë ajror të NATO-s, avionë F-35 Joint Strike Fighter. Këmbëngulja e Erdogan për këtë lëvizje u pa me të drejtë si një tradhti në Uashington.

Inatet dhe përplasja e interesave janë kostoja që duhet të paguhet për çdo lloj aleance të qëndrueshme. Në fund, Turqia dhe aleatët e saj të NATO-s janë jetike për sigurinë e njëri-tjetrit por edhe për frenimin dhe në fund mposhtjen e agresionit rus.

Aleanca ka nevojë për Turqinë, e cila ka qenë një mburojë për mbrojtjen e Perëndimit kundër Iranit, dhe që e ka pajisur Ukrainën me dronë dhe armë të tjera, ka mbyllur Detin e Zi për të penguar përforcimet detare ruse.

Po kështu, Turqia, e cila pati një përplasje të tensionuar me Moskën në vitin 2015 kur rrëzoi një avion luftarak rus që kishte hyrë në hapësirën ajrore turke, do të ishte e mençur të mos distancohej më tej nga aleatët e saj të NATO-s dhe të rrezikonte politikën e sigurimit që ofrojnë këta të fundit.

Vladimir Putin është i vetmi fitues në përplasjet mbi anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO. Sa më shpejt që të merret vesh Turqia dhe partnerët e saj mbi këtë çështje, aq më mirë do të jetë për aleancën. /albeu.com

 


Shtuar 16.01.2023 11:05