Në timon tapë: 20 arrestime dhe gjoba , hiqen 139 patenta gjatë një jave

Policia Rrugore bën me dije se javën që kaloi ka arrestuar 20 shoferë, nga të cilët 5 në gjendje të dehur dhe 15 të papajisur me leje drejtimi.

Po ashtu, janë pezulluar 139 leje drejtimi, nga të cilat 10 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 89 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 40 për shkelje të tjera të ndryshme.

Mësohet se nga kontrollet janë proceduar administrativisht 56 drejtues mjetesh, për shkelje të sinjalizimit të ndritshëm, semafor.

Janë proceduar 225 drejtues mjetesh të ndryshme, të cilët janë konstatuar se qarkullonin apo pushonin mjetet e tyre në korsitë e dedikuara të shërbimit publik dhe në pistat e rezervuara për biçikletat.

Penalizimeve nuk i kanë shpëtuar as drejtuesit e motomjeteve, ku janë proceduar 269 persona për mospërdorim të kaskës mbrojtëse.

Ndërsa për përdorim celulari janë proceduar 246 drejtues mjetesh.


Shtuar 15.06.2020 17:14