Drejtor i ri, huqe të reja: Posta Shqiptare, tender 42 milion lekë për fletëpalosje

Rreth kësaj teme:

Laert Duraj erdhi në krye të Postës Shqiptare direkt nga terreni i fushatës së Partisë Socialiste duke qenë numri 4 i listës së kandidatëve për deputetë të kësaj partie në qarkun e Gjirokastrës.

Emërimi i tij u bë në muajin nëntor dhe drejtori e ka filluar më këmbë të mbarë me një tender 42 milionë lekë vetëm për fletëpalosje për Postën Shqiptare, shkruan Albeu.com.

"Objekti i prokurimit: “Për Blerjen e Materialeve Promocionale”. Fondi limit është: 4.214.700 (katër milion e dyqind e katërmbëdhjetë mijë e shtatëqind) Lekë pa TVSH. Burimi i financimit: Të ardhurat e shoqërisë “Posta Shqiptare” sh.a"., - thuhet në njoftimin e bërë nga Posta Shqiptare.

Dokumenti është firmosur nga vetë drejtori Laert Duraj.

Ajo që ngre hije të forta dyshimi për tenderin në fjalë, krahas vlerës së paarsyeshme prej 42 milionë lekësh për fletëpalosje është edhe koha kur u shpall tenderi.

Duket se drejtuesit e kanë patur me shumë nxitim.

Posta Shqiptare ka njoftuar tenderin në fjalë më datë 29 dhjetor 2017. Ndërkohë, operatorëve ekonomikë që presupozohet se do të hapin ofertat për këtë shërbim ndaj Postës Shqiptare u është lënë 10 ditë kalendarike kohë.

Kujtojmë se kjo kohë përkon me pushimet e Vitit të Ri. Sipas përcaktimeve të bëra nga Posta Shqiptare, çdo biznes i interesuar për të marrë pjesë në këtë tender duhej të kthente punonjësit në punë përgjatë pushimeve për të dhënë ofertën e tyre, gjë e cila normalisht nuk ndodh duke hedhur hije të forta dyshimi se kemi të bëjmë me një rast abuzim ku fituesi është paracaktuar. /albeu.com/





Shtuar më 15/01/2018, ora 14:41

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori