Ditari i Musine Kokalarit/ Rrëfimi i veçantë për tradhtinë nga i dashuri kur ishte studente (FOTO LAJM)

... Ishte në një nga këto ditë që unë takova të ëmën e P.T. Më vështroi me përzemërsi dhe më tha “...çdo gjë e ka bërë im bir pas shpinës suaj dhe mua më porosiste, që Musineja të mos merrte vesh asgjë. Por t’i bëre mirë që e le e para...”.

E vështrova mirë, ndoshta ishte hera e parë që e shikoja me vëmendje. Ishte po i njëjti person që muaj më parë më ishte betuar se të gjitha thashethemet ishin te rreme, i njëjti person që rreth 15 ditë më parë m’u betua për djalin e vdekur se nuk kishte hapur kurrë gojë, dhe i njëjti person që rreth një javë më parë më thoshte se nuk duhet të ndaheshim. Dhe tani po i njëjti njeri më fliste në këtë mënyrë! Më erdhën ndërmend të gjitha këto kur iu përgjigja:

“Nëse e lashë unë e para, apo ai mua, kjo për mua nuk ka kurrfarë rëndësie. Mjafton që jemi ndarë. Unë e kam dashur dhe përderisa e kam dashur dhe e kam ndjekur djalin tuaj në situatat e vështira në të shkuarën me mendimet më të sinqerta. Ndërsa, tani ajo që ndiej për atë njeri është thjesht mëshirë! Nëse unë do të isha një oficer ushtrie do isha vetëvrarë (mjafton të mendosh se për një vogëlsi ishte betuar duke gënjyer). Edhe nëse e gjitha kjo ju duket e tepërt ai ka kryer veprimin më të ulët: Është argëtuar, ndërsa unë qëndroja me mikeshat e mia pa dyshuar fare tek to. Tanimë e kuptoj se ai njeri në jetën e tij nuk ka thënë kurrë të vërtetën ose më saktë, ai as që nuk e di se ç’është e vërteta. Mendimet e tij, ekzistenca e tij, ashtu si ajo e nënës së tij nuk ishin bazuar në tjetër gjë, veçse në gënjeshtër...

Pasi kuptova se si qëndronte e vërteta, nuk u ankova për ekzistencën time pa entuziazëm dhe pa aspirata. Dhe vendosa të mos e ndryshoj të ashtuquajturën gjendje “e mjerueshme”, pa pasur zili askënd, pasi mësova se lumturia nuk ekziston; andaj nuk ia vlen ta kërkosh. Unë që mendoja se është diçka e dobishme të jesh e mirë dhe e dashur, rashë fare pa kuptuar në njëmijë kurthe të ngritura nga njerëz që i kisha shumë përzemër. Përsa i përket shoqeve, thjesht i fshiva nga jeta ime dhe vendosa të mos i takoj më. Kjo është miqësia: edhe dashuria nuk është gjë tjetër veçse një ndjenjë që jeton brenda vetvetes edhe që ushqehet nëpërmjet vetvetes, prandaj është individuale.

Kur ajo shkatërrohet, shkatërrohet pa zemërim. Edhe ndoshta është pikërisht ky momenti më i bukur i dashurisë. Nëse dashuria është e bukur, ashtu siç thonë, akoma më e bukur është liria e brendshme, kur shpirti nuk është i burgosur në një mendim të vetëm që përthith çdo gjë, por që lëviz si një gjë e egër pa një gjysmë tjetër nga një vend në tjetrin. Por, a ishte kjo vallë dashuri? Dyshoj. Dashuria është një fantazmë. Askush nuk e ka parë dhe shumë të tjerë flasin pa ia pasur idenë. Njeriu ka lindur për të jetuar i vetëm.

Është një qenie mizantrope dhe xheloz për vetveten më shumë se sa për të tjerët. Rrahjet e zemrës janë të forta dhe ndiejmë shpesh nevojën për një mirëkuptim shpirtëror. Luftojmë, mendojmë dhe ajo që kuptojmë në fund është se mendimet tona intime askush nuk i ka kuptuar; dhe gjendemi përballë të tjerëve, të lidhur nga një raport interesi dhe nevoje që manifestohet sidomos në qytetet e mëdha ku njerëzit janë shumë sipërfaqësorë dhe egoistë. Në këto qendra të një rëndësie të madhe edhe si pjesë e politikës botërore, ku ndodhin shumë gjëra të jashtëzakonshme, takohen njerëz që flasin me zë të lartë edhe plot besim për përmirësimin e shoqërisë.

Dëshirojnë të ecin përpara edhe të bëjnë vepra të mëdha. Këta njerëz të rëndësishëm, që ia kanë dedikuar ekzistencën e tyre të ardhmes, recitojnë mirë. E kanë hapin e lehtë dhe fshehin atë që bëjnë në jetën e tyre private; s’mendojnë për tjetër gjë veç vetes së tyre. Kjo shoqëri e lidhur nga miqësia, për të mirën e njerëzimit si dhe për të treguar një edukatë të mirë, nuk është gjë tjetër veçse një marrëveshje reciproke që lidhet me njëmijë interesa të vogla, me mijëra lajka dhe me një luftë të përjetshme. Dikush bëhet objekt tallje për dikë tjetër. Thjeshtësia nuk ekziston, është e gjitha një shtirje. Shumë fjalë dhe entuziazëm dhe pak punë... Duke jetuar në mes të këtyre njerëzve zemra ngurtësohet, paralizohen shumë pjesë të shpirtit tonë.
Mungon ndjeshmëria prandaj, mungon, ose është e vështirë, që të ekzistojë dashuria. Duke arsyetuar në këtë mënyrë arrita të krijoj një mosbesim edhe ndaj fjalëve të poetëve. Poezitë janë prodhim i ndjenjave të tyre apo thjesht fryt i mendjes së tyre? Nuk ekziston asgjë perfekte, lumturia e vërtetë nuk ekziston, dhimbja e madhe është gjithmonë e heshtur; sa më shumë e ndien aq më të vështirë e ke për ta përshkruar. Sipas mënyrës sime të konceptimit kam arritur në përfundimin se i gjithë prodhimi i tyre artistik nuk është tjetër veçse fryt i imagjinatës, një iluzion i mendimit, që mbulon çështjet njerëzore. Nuk shprehen ndjenjat kur ato lindin, por përshkruhen në bazë të eksperiencës dhe bëjnë një analizë të zemrës. Çfarë është zhgënjimi? Unë kam mbetur e zhgënjyer vetëm ato herë që kam arritur më në fund një objektiv që mezi e prisja...

Dhe në realizimin e tij unë nuk gjeja kurrë çka fantazia ime kishte krijuar. Por, zhgënjimi në dashuri, në miqësi është diçka tjetër, madje unë do të thosha se është diçka shumë e dobishme. Është mënyra e vetme për të mësuar të njohësh jetën dhe të mësosh atë çka nuk gjendet në libra dhe atë që më parë nuk e kishe ditur. Shpeshherë na ndodh të mësojmë gjatë një ore atë çka nuk e kemi kuptuar për vite të tëra. Në situatën në të cilën gjendesha, i ashtuquajturi iluzion dashurie ishte i dobishëm, për t’i dhënë fund luftës së brendshme ndërmjet ndjenjave kontradiktore. Situatat politike influencojnë tepër shpirtin e njeriut.

Pikërisht ditën që mora vesh të vërtetën, shkrimtari Giovanni Papini publikoi një artikull, në të cilin thuhej se Italia nuk kishte pushtuar tjetër veçse disa shtete të prapambetura, primitive dhe gjysmëbarbare, si Abisinia dhe Shqipëria. Mos ndoshta ishte kjo një nga arsyet e luftës së brendshme gjatë dashurisë? Unë ndihesha se kisha mbetur po primitive, ajo vajza e rritur mes njerëzve të varfër, në një vend të vogël me rrugë të shtrembëta, me oborre të rrethuara me mure; në mes të këngëve që në fakt janë ankesa, në mes të vajit të grave tona poshtë një qielli gri.

Shpirti im kishte mbetur i tillë dhe nuk mund të binte dakord me një shpirt civil dhe ultramodern. Kimera e dashurisë dhe e miqësisë ishte shëruar, e qetë dhe e gëzuar u nisa për në Shqipëri, në fund të marsit. Sapo mbërrita në aeroport mezi prisja të shikoja Tiranën. Nuk isha ndjerë asnjëherë më parë kaq e lumtur që isha në vendin tim; Nuk po flas për atdheun; por çdokush prej nesh ka një qytet të mbushur me kujtime dhe tradita, është si një thirrje e brendshme nostalgjike vendesh, edhe pse mund të jetë monoton, bëjnë që në venat tona të rrjedhë një ndjenjë e thellë, që nuk mund të thuhet e as të përshkruhet...

Marrë nga libri “Jeta ime universitare” të Musine Kokalarit, nën kujdesin e Simonetta Ceglie dhe Mauro Geraci. Përktheu nga italishtja: Valeria Dedaj

Kujtime të një shkrimtareje shqiptare në Romën fashiste

Nesër, ora 11.00 në shtëpinë “Kadare” promovohet libri në italisht “Musine Kokalari. Jeta ime universitare. Kujtime të një shkrimtareje shqiptare në Romën fashiste (1937-1941)”, nën kujdesin e Simonetta Ceglie dhe Mauro Geraci, me një ese të Visar Zhitit (Viella 2016), në prani të kuratorëve Simonetta Ceglie dhe Mauro Geraci.

Musine Kokalari (1917-1983) ka qenë shkrimtarja dhe poetja e parë e madhe shqiptare e shekullit të Njëzetë, e ndjeshme ndaj "çështjeve të grave" dhe varfërisë së shoqërisë rurale e denoncuar prej saj në tregime intensive të jetuara. Në vitin 1938 ka qenë në Romë për t’u diplomuar në letërsi në Universitetin La Sapienza në Romë. E impenjua në ndërtimin e Shqipërisë demokratike, në vitin 1946 është veçuar nga regjimi komunist si "sabotatore dhe armike e popullit" dhe është dënuar me burgim dhe izolim të detyruar deri në vdekje, në vitin 1983. Jeta ime universitare është autobiografia e saj rinore, e cila del sot në dritë, në të njëjtën italishte në të cilën u shkruajt në Romë gjatë periudhës fashiste. Të menduara për t’u bërë libër, këto kujtime zbulojnë ndjeshmërinë njerëzore, poetike, antropologjike të shkrimtares që çimentohen në një gjuhë dhe në një vend që nuk është i tyri. Një gjuhë dhe një gadishull, megjithatë, edhe i saj, nga momenti që Shqipëria gjendej në pushtimin fashist që prej vitit 1939. Shqipëria ishte nën pushtimin fashist italian. Në këtë ditar shqiptarja myslimane përballet me një botë romane, maskiliste, fashiste, kristiane e treguar me kureshtjen medituese të intelektuales. Kokalari është shkrimtarja e parë femër, e cila u persekutua nga regjimi komunist. Ajo u arrestua nga komunistët dhe u dënua me 20 vjet heqje lirie. E mohuar gjatë regjimit, Musine Kokalari sot është e njohur në Shqipëri si "Nderi i Kombit".

100-vjetori i lindjes

Musine Kokalari, vetëdija e shkrimit dhe e qëndresës

Me iniciativë të Ministrisë së Kulturës dhe Bibliotekës Kombëtare sot, 10 shkurt, ora 10:00, në Bibliotekën Kombëtare zhvillohet një ceremoni kremtuese në 100-vjetorin e lindjes së shkrimtares së parë shqiptare dhe intelektuales së shquar Musine Kokalari. Musine Kokalari përfaqëson një simbol ekskluziv në botën shqiptare, si shkrimtarja e parë në letrat shqipe, me një vetëdije të qartë për shkrimin e letërsisë, intelektuale e shquar e aktive në jetën sociale e kulturore të vendin, politikane bashkëthemeluese e Partisë Social-Demokrate, por edhe një prej figurave më dinjitoze të qëndresës kundër diktaturës komuniste, duke nisur që nga apologjia e saj në gjyq, e deri te përballja me një dinjitet të skajshëm femëror e njerëzor, intelektual e ideal ndaj torturave, burgosjes, internimit e keqtrajtimit të vijueshëm çnjerëzor fizik e psikologjik. Të vetëdijshëm jo vetëm për vlerat që ajo përfaqëson sot për ne, por sidomos të vetëdijshëm mbi domosdoshmërinë e përballjes sonë si shoqëri demokratike me të shkuarën diktatoriale, në përpjekje për të shenjuar krijimtarinë e saj letrare e publicistike, si edhe kalvarin e saj nën diktaturë, në institucionet e kulturës janë konceptuar një sërë veprimtarish kulturore që do të shtrihen gjatë vitit 2017, të cilat nisin pikërisht në Bibliotekën Kombëtare me: ekspozitën dhe konferencën shkencore

Ekspozita e parë

Ekspozita, e para në llojin e vet, ekspozon për herë për publikun fillimet letrare dhe më pas veprat e plota të Musine Kokalarit, si shkrimtarja e parë në letrat shqipe, dhe vijon me pjekurinë e saj, si qytetare dhe person politik, si themeluese e Partisë Social-Demokrate Shqiptare dhe intelektuale e shquar. Një vend të rëndësishëm do të zërë edhe dëshmia e persekutimit ekstrem por edhe qëndresës së saj të pashembullt në emër të shpirtit të demokracisë dhe dinjiteti njerëzor. Materialet bibliotekonomike, kombinohen me dorëshkrime, dëshmi, imazhe, por edhe objekte personale.

Konferenca, e nivelit ndërkombëtar, me një pjesëmarrje të gjerë me studiues nga Universitetet Italiane, të Prishtinës, Tiranës, Gjirokastrës etj., rreket të ndriçojë dy tiparet thelbësore të figurës së Musine Kokalarit, atë të vetëdijes së shkrimit, si akt themelues i veprës së saj letrare; dhe atë të vetëdijes së qëndresës përballë dhunës dhe persekutimit absurd komunist si akt themelues i rezistencës intelektuale e qytetare. /Shekulli
Shtuar më 10/02/2017, ora 19:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori