"Dita nis bukur kur partneri më pret me kafenë gati", rrëfehet Zhaklina Gjolla (FOTO LAJM)

Ajo ka një emër të veçantë, ka lindur në Pogradec dhe është një nga biondet e bukura të ekranit të vogël, me një buzeshqje dhe ëmbëlsi që të kujton Marilyn Monroe-në.

Zhaklina Gjolla, është një nga moderatoret e TVSh-së, por udhëtimi i saj ka nisur në redaksinë e lajmeve të Vizion Plus, ku ka punuar gjithmonë gjatë “turnit të dytë”- siç thotë dhe vetë ajo- mbasi u zgjodh nga grupi i praktikantëve të Fakultetit të Gazetarisë.

Sipas rrëfimit të saj, kuptoj që dëshira e saj fillestare nuk ka qenë Gazetaria, por Arkitekura, të cilën kishte vendosur ta ndiqte në Firenze, Itali. Ndërkohë që qëndronte në pritje të përgjigjes nga Universiteti në Itali, Zhaklina vendosi të aplikonte dhe në Shqipëri në degën e gazetarisë si për të pasur një plan B. “Mbaj mend që ditën që do shkoja për të çuar disa dokumenta te Ministria e Arsimit, pata një moment reflektimi gjatë të cilit pata frikë për përgjegjësitë që më prisnin në një vend të ri e vetme, nëse do ia dilja t’i bëja të gjitha, kështu që u stepa dhe nuk u nisa dhe vazhdova shkollën e gazetarisë në Shqipëri”, thotë ajo.

Kështu, nga një reflektim dhe nga një stepje, Zhaklina e gjeti veten në botën mediatike, nga praktikante në Vizion Plus, në gazetare e lidhjes direkte në Top-Channel në emisionin e mëngjesit, një eksperience e lodhshme për të, sepse në mëngjes ishte në transmetim direkt, ndërsa mbasdite në xhirime dhe montazh. Kështu pas një viti, Zhaklina kaloi në një tjetër redaksi, në një tjetër emision, ku përsëri përgatiste reportazhet e terrenit, bënte intervistat, montazhin, e të gjitha proçeset e punës me të cilat përballemi ne që punojmë në media. Mbas një periudhe intensive tre vjeçare, Zhaklina u përball me një vit më të ngadaltë në të cilin projektet që niste për një arsye apo tjetër nuk finalizoheshin, derisa pati një tjetër ofertë nga televizioni publik në të cilin ndodhet dhe tani.


Një udhëtim profesional intensiv për një vajzë 26-vjeçare e cila po hedh rrënjët e jetës së saj të re dhe të pavarur. Në bisedën tonë shumë të sinqertë, Zhaklina më tregoi se nuk e ka të qartë apo nuk është e sigurt se cila do jetë e ardhmja dhe nëse në qëllimet e saj do të jetë edhe televizioni.. Por kjo më pëlqen, sidomos ajo mungesa e absolutizmit dhe e sigurisë së plotë. Më pëlqejnë idetë dhe njerëzit të cilët nuk i vendosin kufij vetes dhe e shohin jetën plot me mundësi të reja ku ata mund ta gjejnë veten. Kur flasim për të ardhmen dhe ëndrrat, ajo më thotë që, hapja e një lokali të vogël kur shërbehet ushqim i shpejtë, por i freskët, ku një panine e zakonshme në vend të bukës ka fletën e lulelakrës, është në dëshirat e saj.

Ndonëse në pamje të parë Zhaklina të bën për vete me çiltërsinë dhe ëmbëlsinë e saj, gjatë bisedës tonë, zbuloj që ajo është një vajzë shumë e shkathët, argëtuese, që pëlqen aventurat, udhëtimet, sportin, fundjavat në Pogradec, ushqimin e mirë dhe të balancuar e shumë të tjera që do t’ju tregoj dalëngadalë. Kur e pyes për si janë ditët e saj, kuptoj që që ajo është gjithashtu një vajzë shumë e organizuar dhe që të gjitha aktivitetet që ajo ka, përkojnë saktësisht me njëra-tjetrën si copat e një puzzle. Nga yoga, në punë, pastaj përgatitja e drekës, pastaj puna tjetër mbasdite, më vonë një takim me mikesha apo një e dalë dhe më pas në shtëpi.



Zhaklina prej më shumë se një viti bashkëjeton me partnerin e saj, Redi Mazi, gjithashtu regjisor në TVSH, një marrëdhënie që ka qëndruar larg syve të publikut ndonëse ata të dy janë çift mediatik. Habitem nga përgjigjet që marr kur e pyes për vështirësinë e një bashkëjetese, shtangem nga sinqeriteti dhe lehtësia për të thënë të vërtetën, një cilësi gjithnjë e më e rrallë sot. Nuk me kishte qëlluar ndonjë personazh aq i vërtetë që më një vërtetësi çarmatosëse thotë: “Është e vështirë dhe e bukur, sepse kur nuk jetoja me Redin, me duhej ndonjëherë, edhe e lodhur, të dilja nga shtëpia vetëm për të takuar Redin, që tani e takoj në shtëpi. Megjithatë bashkëjetesa sa është e bukur është dhe e vështirë, për shembull, ne nuk kemi organizuar ende mirë ndarjen e përgjegjësive që kemi në shtëpi dhe ndonjëherë qëllon që zihemi për punët e shtëpisë. Ai është shumë rrëmujaxhi, më shumë se unë, por ankohet më shumë se unë”.

Kështu nga këto rrëfime midis çantës, lavatriçes dhe pazarit kuptoj që marrëdhënia që ajo jeton është shumë e këndshme, sikur ka në brendësi atë lumturinë pak fëmijënore, si një ditë pranvere me aromë lulesh, si ai flladi që ndien kur je në Llogara, si ajo ndjenja që ke ditën e parë të pushimeve kur e di që ke dhe dy jave liri para teje. Nuk gaboj në perceptimin tim, sepse gjatë bisedës tonë, kur Zhaklina më rrëfen për oraret e zgjimit, shton që dita e saj nis bukur edhe pse partneri e prêt me kafen gati.



Pa dyshim që njëherë që u hap biseda për punët e shtëpisë, njëra nga pyetjet do të kishte lidhje edhe me gatimin që dhe për Zhaklinën nuk është pika e fortë. “Kam një problem me gatimin, për shembull mësoj të bëj kunguj të mbushur, kështu që një muaj në shtëpinë tonë ka vetëm kunguj të mbushur dhe pastaj gjej diçka tjetër që perfeksionoj, por kur dua të bëj përsëri kunguj të mbushur, e kam harruar receten. ”

Siç e ceka dhe gjatë rrëfimit, Zhaklina është vajza e suprizave, sepse nuk do ta mendoja kurrë që një vajzë në dukje delikate, ka ëndërr të udhëtojë botën me një çantë në shpinë, e lumtur për të papriturat që rruga mund të sjellë. Kështu, midis te qeshurave për recetat e gabuara, apo mjeshtërinë e partnerit të saj me brumëra, mbaron takimi ynë me një nga vajzat e bukura dhe inteligjente të ekranit.



Shtuar më 21/01/2021, ora 21:10

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori