Napoli refuzon milionat e arabëve për Osimhen

Pavarësisht ofertës së çmendur për Viktor Osimhen, presidenti Aurelio de Laurentis i tha jo arabëve të Al Hilal. Sulmuesi nigerian ka përparuar në bisedime me kampionët e Italisë dhe është gati që të firmosë kontratën e re deri në vitin 2027.

Nigeriani do të përfitojë 7 milionë euro në një sezon raporton Sport Mediaset. Al Hilal ofroi 130 mln euro për kartonin e futbollistit, por numri 1 i klubit nuk u befasua nga shifra e lartë.

Kampionët e Italisë do të heqin dorë nga qendërsulmuesi i tyre vetëm nëse një klub de të jetë i gatshëm që të paguajë 200 mln Euro. Në të kundërt, Osimhen do të qëndrojë në Napoli. Një shifër të tillë nuk e arrin dot as klubi i PSG, që e shikon  24 -vjeçarin si zëvendësuesin e Kilian Mbape. Interesim për lojtarin ka edhe skuadra e Çelsit.

Nga ana tjetër edhe futbollisti nuk ka dhënë shenja se dëshiron që të largohet nga të kaltrit. Osimhen gjithnjë ka dëshiruar që të vazhdojë të jetë pjesë e Napolit dhe po përgatitet për sezonin e ri, ku ai kërkon të tjera suksese. Në vitin e shkuar futbollistik, nigeriani realizoi 26 gola në 32 takime dhe ndihmoi të kaltrit që të fitonin kampionatin  pas 33 vitesh.


Shtuar 30.07.2023 21:23