PSG dhe Barcelona kanë frikë, Messi ka vendosur se ku do ta vazhdojë karrierën

Futbollisti i Paris Saint-Germain dhe përfaqësueses argjentinase, Lionel Messi, është duke negociuar fshehurazi me Interin nga Miami, i cili është në pronësi të ish-lojtarit anglez David Beckham, raporton britanikja “Athletic”.

Ai ka kontratë me kampionët e Francës deri në fund të sezonit dhe në merkaton e verës mund të kalojë në një tjetër klub falas.

Mediat britanike kujtojnë se futbollisti argjentinas ende nuk ka vendosur se në cilin klub do të luajë sezonin e ardhshëm. Drejtuesit e PSG-së i kanë ofruar tashmë Messit një vazhdim të kontratës disa herë. Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka thënë së fundmi se klubi katalanas ka një borxh moral ndaj Messit dhe dëshiron që argjentinasi të përfundojë karrierën e tij si lojtar në skuadrën Camp Nou.

Megjithatë, “Athletic” raporton se Messi prej muajsh negocion fshehurazi me Interin. Një burim pranë drejtuesve të klubit ka thënë për gazetën britanike se drejtuesit e Interit kanë besim se mund ta bindin futbollistin argjentinas që të vazhdojë karrierën në ligën MLS.

Këtë sezon ai luajti 17 ndeshje dhe shënoi 12 gola dhe pati 13 asistime. /G.D albeu.com/


Shtuar 31.10.2022 16:31