Një muaj nga tragjedia në Bullgari, ende i paqartë shkaku i aksidentit

Hetuesit dhe ekspertët më të mirë në Bullgari po e kompletojnë raportin për fatkeqësinë që ndodhi në magjistralen “Struma” ku jetën humbën 45 persona.

“Unë mes tjerash me interes të madh pres që të lexoj çfarë ka ndodhur, çdo sekondë të jetës së tyre, momentet e fundit të jetës, çfarë ka ndodhur në çdo metër të autobusit, që të marr përgjigje pse aq shpejtë është djegur ai autobus. Çfarë kemi mundur ne të bëjmë, a duhet të vendosim sisteme speciale nëpër autobus për shuarje automatike… ka shumë gjëra që duhet bërë”, deklaroi Nikollaj Nikollov, zjarrfikës.

Nga tragjedia edhe Maqedonia edhe Bullgaria kanë nxjerrë mësim. Por çfarë mundet të përmirësohet te mjetet transportuese?

“Autobusët patjetër duhet të kenë jo vetëm mjete për shuarje, por shuarje automatike. Atë e kanë autobusët luksoz, avionët dhe pjesa më e madhe e autobusëve të ri e posedojnë”, tha më tej Nikollov.

Një muaj pas tragjedisë, ende nuk është e qartë arsyeja që ka sjellë deri te tragjedia dhe nëse për shkak të materialeve të vendosura pas riparimit të autobusit në Turqi, zjarri për disa sekonda e bëri hi e shkrumb autobusin.

“Është njëra prej gjurmëve sipas së cilave po punohet në ekspertizën e zjarrfikësve. Këtu duhet t’i kushtohet vëmendje materialeve që janë vendosur. Materialet bashkëkohore vështirë digjen ose nuk digjen fare. Për shembull kërkesat tona për teatrot dhe kinematë janë të tilla. Atje ku mblidhen shumë njerëz, një autobus ka shumë njerëz, rreth 50, duhet të ndërmerren ato masa. Ne shpesh herë pohojmë se kemi nxjerrë mësim… Është e saktë, nxjerrim mësim por për ne është më e rëndësishme që pas analizave të bëra të ndërmerren masa të cilat në të ardhmen do të parandalojnë një gjë të tillë”, shtoi Nikollov.

Në fjalimin e tij vjetor, dje edhe presidenti Pendarovski kërkoi epilog për këtë rast.

“Tragjedia e madhe me autobus ku humbën jetën 45 qytetarët tanë është vetëm rasti i fundit në sërën e rasteve të tilla. Nëse ky rast, si edhe rastet e mëparshme nuk marrin përfundim gjyqësor në një afat të arsyeshëm, mosbesimi i qytetarëve vetëm do të zmadhohet. Shoqëria me tendenca të tilla është një truall pjellor i dukurisë së liderëve autoritarë dhe populistë të cilët në vend të procesit cilësor premtojnë drejtësi “të shpejtë dhe efikase”.

Në aksidentin tragjik në Bullgari 45 persona humbën jetë, ndërsa 7 arritën të dalin nga autobusi dhe të shpëtojnë.


Shtuar 23.12.2021 20:46