Rreziku i madh që i kanoset botës nëse Rusia fiton në Ukrainë

Nga Eric Schlosser “The Atlantic

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Mëngjesin e 5 dhjetorit 2022, një shpërthim i madh ndodhi në bazën ajrore “Engels”, rreth 800 km në juglindje të Moskës. Ajo është një nga dy bazat kryesore në Rusi ku ndodhen avionët strategjikë bombardues me rreze të gjatë. “TU-160 Blackjacks” janë ngritur nga “Engels” gjatë 10 muajve të fundit, duke qenë të pajisur me raketa lundruese, të cilat janë lëshuar mbi qytetet e Ukrainës.

Shpërthimi u shkaktua nga një dron ukrainas, dhe thuhet se dëmtoi dy avionë bombardues ”TU-95 Bears”, të cilat që nga fillimi i viteve 1950 kanë qenë një simbol i fuqisë ajrore të Kremlinit. Shumica e raportimeve mbi sulmin u fokusuan tek guximi i tij, dështimi i mbrojtjes ajrore ruse dhe ndikimi tek morali i ushtrisë ruse në front.

Por ai sulm kishte një rëndësi më të madhe, e cila kaloi kryesisht pa u vënë re. Rreth 6 km larg nga baza “Engels” ku ndodhi shpërthimi, ndodhen disa bunkerë nëntokësorë që ka të ngjarë

të strehojnë disa qindra bomba bërthamore. Avionët Blackjacks dhe Bears u projektuan gjatë Luftës së Ftohtë me synim sulmet bërthamore kundër vendeve të NATO-s.

Dhe ato e luajnë ende atë rol në planet ruse të luftës. Sulmi me dron ndaj “Engels” ishte një moment historik në historinë ushtarake:sulmi i parë ajror në botë mbi një bazë bërthamore. Kishte pak shanse që ai të provokonte një shpërthim bërthamor, madje edhe nga një goditje e drejtpërdrejtë, pasi bunkerët janë shumë të fortifikuar.

Megjithatë, prania e bombave bërthamore në një bazë të përdorur zakonisht nga bombarduesit rusë për sulmet ndaj Ukrainës, përbën një kujtesë se sa e rrezikshme mbetet kjo luftë. Më 26 dhjetor, “Engels” u godit nga një tjetër dron ukrainas, që vrau 3 ushtarakë. Pushtimi i Ukrainës është shoqëruar që në fillim nga kërcënimet e Moskës për përdorimin e armëve bërthamore.

Disa ditë pas fillimit të luftës, presidenti Vladimir Putin u ankua se “vendet e NATO-s po bëjnë deklarata agresive për vendin tonë”, teksa paralajmëroi forcat bërthamore ruse do të vendoseshin në “një regjim të veçantë të misionit luftarak”. Ai paralajmërim nuk u pasua nga asnjë ndryshim i dukshëm në gatishmërinë operacionale.

Megjithatë në mediat e kontrolluara nga Kremlini, kërcënimet thuajse të përditshme për përdorimin e armëve bërthamore, u bënë një element qendror i propagandës ruse, duke synuar të ngjallë frikë tek vendet e NATO-s, të dekurajojë forcat e aleancës nga përfshirja në luftë dhe të kufizojë ndihmën e tyre ushtarake për Ukrainën.

Kjo propagandë ruse është përforcuar dhe mbështetur nga një larmi e pazakontë njerëzish në Shtetet e Bashkuara, përfshirë analistin e Fox News Tucker Carlson, kongresmenen Marjorie Taylor Greene, demokratët e fraksionit më të majtë në SHBA dhe nga ekonomisti i Universitetit të Kolumbias, Jeffrey Sachs.

Propaganda shfajëson Rusinë, fajëson Shtetet e Bashkuara për luftën, dhe bazohet në 4 shtylla kryesore. Së pari, që përpjekja e gjatë e Amerikës për ta futur Ukrainën në NATO, përbën një kërcënim të madh për sigurinë ruse. Së dyti, që dërgesat amerikane të armëve e kanë zgjatur luftën dhe kanë shkaktuar vuajtje të panevojshme tek civilët.

Së treti, që mbështetja amerikane për Ukrainën është vetëm një pretekst për të kërkuar shkatërrimin e Rusisë. Dhe, së fundi, që shumë shpejt politikat amerikane mund të jenë përgjegjëse për shkaktimin e një lufte bërthamore globale. Por këto argumente bazohen mbi gënjeshtra.

Ato po përhapen për të justifikuar përdorimin e paprecedentë të shantazhit bërthamor nga Rusia, me synim pushtimin e territoreve nga një shtet fqinj. Shqetësimet rreth një lufte të mundshme bërthamore, kanë penguar deri më tani SHBA-në dhe NATO-n që t’i dërgojnë Ukrainës tanke, avionë dhe raketa me rreze të gjatë, një akt që mund të ndryshojnë rrjedhën e luftës.

Por nëse kërcënimet bërthamore apo përdorimi i armëve bërthamore do të çojnë në humbjen e Ukrainës, Rusia mund t’i përdorë ato për t’iu imponuar edhe shteteve të tjera. Pra taktikat që dikur konsideroheshin si të pamoralshme dhe të pamendueshme mund të bëhen të zakonshme. Armët bërthamore nuk do të konsideroheshin më si pengesa e fundit. Nëntë vendet që i zotërojnë ato do të fitonin një ndikim edhe më të madh; vendet që nuk i kanë do të kërkojnë të pajisen me to ato; dhe do të rritej në mënyrë eksponenciale rreziku global i luftërave shkatërruese. Është kjo arsyeja pse kërcënimi më i madh bërthamor me të cilin përballemi është fitorja e Rusisë në Ukrainë.

Rusia zotëron rreth 6000 armë bërthamore, më shumë se çdo vend tjetër, dhe për vite me radhë Putini i ka cilësuar ato si një burim krenarie kombëtare. Për gati 1 vit, rusët na kanë kërcënuar me mundësinë e një lufte bërthamore. Kultura popullore e Rusisë karakterizohet nga një nivel fanatizmi bërthamor që më parë lidhej vetëm me Korenë e Veriut.

Asgjë e ngjashme nuk ekzistonte gjatë Luftës së Ftohtë. Sipas propagandës së Kremlinit, zgjerimi i NATO-s përbën një kërcënim serioz ushtarak që po justifikon si modernizimin e arsenalit bërthamor të Rusisë ashtu edhe pushtimin e Ukrainës. Por argumenti se gjatë 3 dekadave të fundit, NATO është zgjeruar për të sulmuar ose pushtuar Rusinë është absurd.

Përkundrazi, ato i kanë ofruar Rusisë triliona dollarë investime direkte, transferime teknologjie dhe pagesa për naftën, gazin dhe burime të tjera natyrore. Kryesisht falë tregtisë së zgjeruar me Perëndimin, Rusia ka sot për herë të parë në historinë e saj një shtresë të mesme të madhe, dhe të ardhurat mesatare mujore janë rritur nga 25 dollarë në vitin 1992 në 1206 dollarë sot. Por politikat e Kremlinit kanë krijuar ekonominë më të pabarabartë në botë, me rreth 500 oligarkë që kontrollojnë më shumë pasuri se sa totali i aseteve që ka rreth 99 për qind e popullsisë ruse.

Ambiciet e përtërira perandorake të Rusisë dhe glorifikimi i armëve bërthamore, janë të dobishme për Kremlinin si një shpërqendrim nga vështirësitë e vazhdueshme ekonomike. Dhe nëse kombi që zotëron më shumë armë bërthamore në botë nuk do të ketë në gjendje të fitojë, do të zbehet shumë rëndësia e të pasurit armë bërthamore, dhe do rritet nevoja për të hequr dorë nga armët bërthamore. /albeu.com

Marrë me shkurtime


Shtuar 20.01.2023 11:05